"Pakënaqësia është e gjerë"/ Hasimja: Opozita duhet të reflektojë në Kuvend mesazhin që vjen nga sheshi
I ftuar në një lidhje direkte për Ora News, analisti Ermal Hasimja komentoi zhvillimet e fundit politike dhe protestat kundër qeverisë, duke u ndalur te mesazhi që sipas tij po vjen nga sheshi dhe mënyra se si duhet të reflektohet në Parlament.
Sipas Hasimjës, pavarësisht pakënaqësive të ndryshme që shprehen gjatë protestave, opozita ka detyrimin të përfaqësojë dhe të përcjellë në Kuvend kërkesat e qytetarëve që janë bërë pjesë e tubimeve.
"Unë mendoj që opozita do të duhet të reflektojë në Parlament kërkesat e sheshit, kërkesat e protestës, pavarësisht pastaj kërkesave të tjera që mund të jenë shprehur gjatë protestave. Ka edhe demokratë, mbështetës të partive të tjera apo qytetarë me bindje të ndryshme, por mesazhi i protestës duhet të përfaqësohet politikisht."-tha analisti.
Hasimja u ndal edhe te kërkesat që po artikulohen gjatë protestave, duke bërë dallimin mes çështjeve specifike dhe asaj që ai e konsideron si kërkesën kryesore që bashkon pjesëmarrësit.
"Ajo që i bashkon të gjithë aty në shesh, pavarësisht nëse janë të djathtë apo të majtë, është një kërkesë e vetme. Emëruesi i përbashkët për të gjithë është dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i qeverisë. Çdo kërkesë tjetër më specifike mbetet dytësore përballë këtij qëllimi."-shtoi ai.
Analisti vlerësoi se pakënaqësia ndaj klasës politike është e pranishme te segmente të ndryshme të shoqërisë, por sipas tij protesta aktuale ka krijuar një pikë të përbashkët mes qytetarëve me bindje të ndryshme politike, të fokusuar te kërkesa për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.


