'PARALIZIMI' I RRUGËVE NGA PROTESTA/ Vijon vala e masave, 23 persona procedohen për tubimin e djeshëm

'PARALIZIMI' I RRUGËVE NGA PROTESTA/ Vijon vala e masave, 23

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj 23 protestuesve, pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, ku dyshohet se u bllokuan disa akse rrugore gjatë marshimit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga verifikimet e kryera rezulton se disa prej pjesëmarrësve kanë organizuar dhe drejtuar lëvizjen në mënyrë të tillë që ka sjellë pengim të qarkullimit të mjeteve në disa zona të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar më parë.

Personat e proceduar janë identifikuar me iniciale dhe ndaj tyre rëndojnë akuza për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike” si dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia bën me dije se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në ngjarje.

Paralelisht, është regjistruar edhe një kallëzim për kanosje lidhur me një debat gjatë protestës, ku shtetasi R. M. ka kallëzuar Gent Prognin pas një përplasjeje për një video të publikuar në rrjetet sociale.

Sipas kallëzimit, pas debatit, palët janë përfshirë në një konflikt verbal që është konsideruar kërcënues nga kallëzuesi dhe bashkëshortja e tij.

Policia ka marrë në pyetje shtetasin G. P., i cili ka deklaruar se ka kërkuar sqarime në lidhje me videon e publikuar.

Materialet për të dy rastet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

 

 

EMISIONET