Përplasje e paprecedentë/ Izraeli ndërpret kontaktet me Kaja Kallas

Izraeli ka vendosur të ndërpresë përfundimisht kontaktet zyrtare me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ky vendim ekstrem sinjalizon një thellim të rrezikshëm të përplasjes diplomatike mes qeverisë izraelite dhe institucioneve të Brukselit.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, të cilave u referohet “Reuters”, lëvizja drastike vjen pas kritikave të njëpasnjëshme dhe të ashpra që Kallas ka adresuar ndaj politikave të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor.
Po ashtu, Tel Avivi është irrituar nga mbështetja që Kallas i ka dhënë diskutimeve brenda bllokut europian për sanksione apo masa të mundshme ndaj vendbanimeve izraelite në territoret palestineze.
Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme izraelite deklarojnë se Kallas po ndjek një qasje tërësisht të njëanshme dhe se veprimet e saj po dëmtojnë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh. Megjithatë, të njëjtat burime sqarojnë se ky bllokim ka të bëjë vetëm me Kallasin në cilësinë e saj personale dhe politike, ndërsa komunikimi me institucionet e tjera të Bashkimit Evropian do të vijojë normalisht.
Që prej marrjes së detyrës si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kallas është shndërruar në një nga zërat më kritikë të Europës.
Ajo ka kërkuar vazhdimisht rritjen e presionit diplomatik ndaj Izraelit për shkak të krizës katastrofike humanitare në Gaza, duke bërë thirrje për respektimin e së drejtës nd me të drejtën ndërkombëtare, mbrojtjen e civilëve dhe lejimin pa kushte të ndihmave.
Muajt e fundit, brenda BE-së janë intensifikuar debatet për të vendosur sanksione ndaj kolonëve izraelitë të akuzuar për dhunë ndaj palestinezëve, si dhe për të kufizuar bashkëpunimin ekonomik që lidhet me territoret e pushtuara. Këto plane janë pritur me një zemërim të madh nga qeveria izraelite, e cila i konsideron ato të motivuara politikisht dhe të padrejta.
Ky vendim vjen në një moment mjaft delikat, kur marrëdhëniet mes Tel Avivit dhe disa prej kryeqyteteve kryesore evropiane kanë prekur pikën më të ulët për shkak të luftës në Gaza. Madje, disa shtete anëtare kanë kërkuar deri në rishikimin e plotë të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Izraelin për të detyruar një armëpushim.
Pavarësisht kësaj krize të re, ekspertët vlerësojnë se kjo lëvizje nuk do të thotë shkëputje totale e marrëdhënieve, pasi BE-ja mbetet partneri më i rëndësishëm ekonomik i Izraelit. Megjithatë, izolimi i Kaja Kallas tregon qartë se diplomacia mes palëve ka hyrë në një rrugë pa krye.


