Shtohen të prekurit me kancer në Korçë/ Sëmundja vdekjeprurëse, mjekët: Mos neglizhoni shenjat, kryeni kontrolle!
Kanceri në mushkëri është një ndër sëmundjet që kla prekur shumë njerëz në krahasim me disa vite më parë. Mjekët pneumologë thonë se trashëgimia, pirja e duhanit, dhe aktiviteti i pakët fizik janë disa nga shkaqet, ndërsa apelojnë për që të mos neglizhuar shenjat dhe të kryejnë kontrolle periodike!
Sëmundja e kancerit në mushkëri duket se ka pësuar rritje të rasteve të të prekurve në Korçë.
Pandemia ka qenë periudha që ka ndikuar në mungesën e ekzaminimeve të qytetarëve për ta diagnostikuar sa më shpejt.
Sipas mjekes pneumologe Diana Aliçkolli, e cila prej vitesh ushtron profesionin e saj pranë spitalit rajonal të Korçës, ka disa faktorë që ndikojnë në krijimin e kësaj sëmundjeje.
Diana Aliçkolli, Mjeke Pneumologe: “Kohët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të prekurve me këtë sëmundje. Shkaqet kanë qenë të ndryshme. Por periudha e pandemisë i ka tërhequr pak njerëzit nga ekzaminimet e mirëfillta që bëhen për ta diagnostifikuar sa më shpejt këtë sëmundje. Faktorët kryesorë janë faktorë jo etimologjie të mirëfilltë: është trashëgimia, duhani është armiku kryesor, dieta dhe jeta jo aktive”.
Diagnostikimi i hershëm është tepër i rëndësishëm për popullatën, ndërsa mund ta kryejnë me aparaturat tepër cilësore që ka spitali i Korçës.
Fillimisht ky spital bën diagnostikimin, e më pas i drejtohen Tiranës për mjekim më të specializuar.
Diana Aliçkolli, Mjeke Pneumologe: “Ne kemi fatin që në spitalin tonë rajonal kemi një ekzaminim skanerik që aktualisht e kemi modern. Dhe diagnostifikimet e hershme kanë shpëtuar jetë njerëzish. Që ndoshta vitet e mëparshme ne nuk i kemi pasur këto mundësi dhe stadet e avancuara gjithmonë janë fatale”.
Mjekja pneumologe drejton apelin e saj duke përmendur disa nga shenjat që dyshohet për kancer në mushkëri.
Diana Aliçkolli, Mjeke Pneumologe: “Apeli im është që një kollë që nuk ndalon, një rënie në peshë, një sputumë me gjak, një këputje apo një lodhje që nuk e ka pasur më parë, sidomos personat që pijnë duhan, një kontroll rutinë tek specialisti është i domosdoshëm”.
Koha e Pandemisë ka ndikuar në rritjen e numrit të të prekurve me kancerin e mushkërisë, gjendja e të cilëve mund të jetë agravuar, por fatmirësisht ndërgjegjësimi i qytetarëve sa vjen e rritet për të bërë kontrolle lidhur me këtë sëmundje.