“Pushteti lokal për qytetarët”/ Mediu takime në Cerrik dhe Belsh: 14 maji, rëndësi për të ardhmen e vendit
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi takime në bashkitë Cërrik dhe Belsh ku apeloi që qytetarët të votojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai u shpreh se pushteti lokal pas 14 majit do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi takime në Cërrik dhe Belsh në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 14 majit.
Ai u kërkoi qytetarëve që të votojnë Partinë Republikane për këshillat, dhe të mbështesin kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar bashkie.
“Kurrë mos iu dorëzoni pafuqisë së dukshme ndaj së keqes. Sepse duke u bërë bashkë ne mund të mposhtim çdo lloj të keqe. Duke u bërë bashkë ne do të mund ta bëjmë Servetin kryetar bashkie”, u shpreh Mediu.
Për kreun e Partisë Republikane, zgjedhjet e 14 majit kanë rëndësi të madhe për të kthyer pushtetin lokal në shërbim të qytetarëve.
“Ne duhet të krijojmë një qeveri e cila duhet të jetë në krahun tonë, jo mbi shpinën tonë. Një qeveri e cila duhet të na japë një mundësi, jo të na shkatërrojë mundësi”, theksoi Fatmir Mediu.
Gjatë takimeve atje, Mediu akuzoi se keqqeverisja është shkaku i emigrimit masiv dhe varfërisë së qytetarëve shqiptarë.