SHQIPËRIA “PËRMBYTET” NGA TURISTËT/ Nga Tirana në Alpe e bregdet, të huajt zbulojnë bukuritë shqiptare

Nga kryeqyteti, deri te bregdeti dhe Alpet shqiptare, vizitorë nga vende të ndryshme zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre duke eksploruar natyrën, historinë dhe kulturën e vendit.

Për shumë prej tyre, Tirana është ndalesa e parë e udhëtimit, përpara se të nisin turet drejt veriut dhe jugut të Shqipërisë.

“Ambienti ishte shumë i mirë. Mendojmë të qëndrojmë dy javë në Shqipëri. Kjo është dita jonë e fundit në Tiranë, më pas do të vizitojmë veriun dhe jugun, ndërsa turin do ta përmbyllim sërish në Tiranë. Na kanë pëlqyer edhe flamingot rozë, i ndoqëm dje. Na pëlqen edhe kauza e tyre.”-u shpreh një franceze.

Rekomandimet e miqve dhe të afërmve vijojnë të jenë një nga arsyet kryesore që i shtyjnë turistët të zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

“Miqtë tanë kanë qenë këtu dhe na kanë thënë fjalë të mira. Kemi qenë edhe në Mal të Zi, ndërsa vitin e kaluar kemi vizituar Rumaninë. Shqipëria është një vend i mirë për t’u vizituar, po e shijojmë shumë.”-tha një turiste angleze.

Ka edhe turistë që e kanë zbuluar Shqipërinë rastësisht, por pas vizitës së parë shprehen se do ta rekomandonin edhe te bashkëkombësit e tyre.

“E gjetëm rastësisht. Është vizita jonë e parë dhe do t’ua rekomandonim ukrainasve. Do të qëndrojmë një muaj, na pëlqen shumë.”-u shpreh ukrainasja.

Mes vizitorëve ka edhe turistë që vijnë nga vende të largëta, si Kina.

“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe nuk do të jetë hera e fundit. Do të udhëtoj nga këtu drejt veriut dhe do të qëndroj pesë ditë në Shqipëri. E rekomandoj, ju lutem ejani në Shqipëri! Sot do të eksploroj më shumë vendin.”-u shpreh turistja kineze.

Për shumë prej turistëve, realiteti që kanë gjetur në Shqipëri ka qenë ndryshe nga pritshmëritë dhe perceptimet që kishin më parë.

“Do ta rekomandonim shumë. Shqipëria doli përtej pritshmërive tona, pasi në Itali ekzistojnë disa paragjykime për këtë vend, por unë mendoj se është shumë bukur dhe ka shumë për të ofruar.”.

Rritja e interesit për Shqipërinë pasqyrohet edhe në shifrat zyrtare. Sipas INSTAT, gjatë periudhës janar–maj 2026, numri total i hyrjeve në Shqipëri arriti në mbi 7 milionë shtetas, duke shënuar një rritje prej 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

 

EMISIONET