SHQIPËRIA FORMËSON TURIZMIN EUROPIAN/ “Travel and Tour World” promovon Shqipërinë si destinacion në rritje
Shqipëria po renditet mes destinacioneve që po ndikojnë në formësimin e tendencave të reja të turizmit në Evropë, ndërsa udhëtarët po kërkojnë gjithnjë e më shumë vende autentike, më pak të mbipopulluara dhe me kosto më të përballueshme.
Vlerësimi vjen nga revista ndërkombëtare Travel and Tour World, artikulli i së cilës u shpërnda nga Agjencia për Media dhe Informim. Revista e paraqet Shqipërinë si një destinacion në rritje, që po tërheq interesin e turistëve përmes ndërthurjes së natyrës, bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe mikpritjes tradicionale.
Sipas artikullit, një nga arsyet kryesore të rritjes së interesit është kërkesa e turistëve për përvoja autentike mesdhetare, larg destinacioneve të mbingarkuara dhe çmimeve të larta. Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë ndaj vendeve tradicionale të Mesdheut, duke ofruar plazhe, qytete historike dhe peizazhe malore me kosto më të ulëta.
Nga Alpet Shqiptare te Riviera Shqiptare, oferta turistike e vendit shtrihet gjatë gjithë vitit. Destinacionet bregdetare të jugut, parqet kombëtare dhe zonat malore u ofrojnë vizitorëve mundësi për pushime, ecje, sporte ujore dhe turizëm natyror.
Një tjetër pikë e fortë janë qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të mbrojtura nga UNESCO, si dhe Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit. Arkitektura, traditat, kuzhina dhe mikpritja vendase po vlerësohen si elemente që e dallojnë Shqipërinë nga destinacionet e tjera evropiane.
Revista nënvizon se zhvillimi i turizmit shqiptar po ndikon edhe në tregun më të gjerë evropian, në një kohë kur udhëtarët po orientohen drejt vendeve më të përballueshme dhe më pak të prekura nga turizmi masiv.
Megjithatë, rritja e numrit të vizitorëve shoqërohet edhe me sfidën e ruajtjes së mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe autenticitetit që kanë rritur interesin ndërkombëtar për vendin.


