Shpërndanin dr*gë në zonën e Ish-Bllokut/ Policia arreston 9 persona për trafikim, mes tyre punonjës dhe administratorë lokalesh

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Night Clubs” pas disa muajsh hetimesh, duke goditur shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Ish-Bllokut.

Gjatë operacionit u arrestuan 9 persona, punonjës dhe administratorë lokalesh nate, të dyshuar se shpërndanin drogë brenda ambienteve ku ushtronin aktivitetin. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Nga hetimet rezulton se në këto lokale shpërndaheshin doza kokaine dhe ekstazi. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi dhe 11 telefona celularë.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, ndërsa një 49-vjeçar u vu në pranga pasi kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

 

EMISIONET