Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës në Itali dhe Shqipëri, 62 të arrestuar, Eurojust dhe Europol japin detajet
Eurojust dhe Europol kanë mbështetur autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në Itali dhe Shqipëri në çmontimin e një rrjeti trafikantësh droge. Gjatë një dite të përbashkët aksioni, ku u përfshinë rreth 350 oficerë në terren, 30 të dyshuar u arrestuan dhe 31 vende u kontrolluan.
Gjatë operacionit u sekuestruan pesë pushkë, një pistoletë dhe gjashtë automjete.
Aksioni u drejtua në kohë reale nga qendra koordinuese e Eurojust. Europol ofroi mbështetje operacionale në vend duke dërguar specialistët e tij në Itali dhe Shqipëri.
Grupet kriminale dyshohet se ishin përgjegjës për trafikun në shkallë të gjerë të kokainës, kanabisit dhe heroinës, kryesisht nga Shqipëria në Itali.
Operacioni i sotëm është pjesë e një hetimi afatgjatë, i cili po ndërmerret bashkërisht nga autoritetet italiane dhe shqiptare dhe ka çuar tashmë në arrestimin e 62 personave dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 1 milion euro (në Itali), si dhe për kapjen e sasive të mëdha të drogës.
Çështja u hap në Eurojust dhe Europol në vitin 2019. Eurojust organizoi dy takime koordinuese, gjatë të cilave përfaqësues të autoriteteve të përfshira u mblodhën së bashku për të diskutuar rastin, për të shkëmbyer informacione dhe për të rënë dakord për hapat e mëtejshëm.
Agjencia gjithashtu mbështeti autoritetet duke krijuar dhe financuar një ekip të përbashkët hetimor (EPH). Gjatë rrjedhës së hetimit, Europol ofroi mbështetje dhe ekspertizë të thelluar analitike, duke përcaktuar objektivat e ndryshëm të profilit të lartë dhe aktivitetet e tyre kriminale. Hetimi u mbështet nga projekti i Komisionit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), i cili – për herë të parë – ishte në gjendje të mbështeste financiarisht aktivitetet operative.
Autoritetet e mëposhtme morën pjesë në hetim:
Itali: Zyra e Prokurorit Publik të Bergamos, Shërbimi Qendror i Hetimit për Krimin e Organizuar të Guardia di Finanza, Policia Ekonomiko-Financiare e Brescia e Guardia di Finanza, Drejtoria Qendrore për Shërbimet Kundër Drogës, Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor Italian.
Shqipëri: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Policia e Shtetit Shqiptar - Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Njësia Kombëtare Europol.