Banorët nuk duan bashkimin me Librazhdin, në Prrenjas organizohet protestë kundër reformës territoriale

Ka nisur këtë të martë protesta e paralajmëruar në Prrenjas kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon një bashkim të mundshëm të kësaj bashkie me Librazhdin.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij propozimi. Protestuesit mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe, sipas organizatorëve, manifestimi po zhvillohet pa simbole apo parulla partiake.

Banorët kërkojnë që Prrenjasi të ruajë statusin e tij si bashki e veçantë dhe kundërshtojnë çdo plan për bashkimin administrativ me Librazhdin.

Gjatë një takimi me banorë, Bajazit Karriqi ka bërë thirrje për bojkot të procesit zgjedhor, duke kërkuar që qytetarët të mos votojnë si formë reagimi ndaj problematikave që, sipas tij, janë lënë pas dore nga institucionet.

“Le ta bëjmë bojkot. Fjala e shqipes do të thotë nuk votoj. Jeni dakord?”, u shpreh Karriqi, ndërsa turma reagoi me duartrokitje dhe miratim.

Gjatë fjalës së tij, ai ngriti shqetësime edhe për gjendjen e bujqësisë, duke marrë si shembull mungesën e prodhimit në disa zona. “Ajo fushë do të kishte grurë. Nuk ka grurë, nuk u mboll”, tha ai, duke kërkuar më shumë vëmendje për zhvillimin e bujqësisë dhe ndryshimin e mënyrës së organizimit të prodhimit.

Banorët kërkuan që deputetët të jenë më pranë komuniteteve dhe të japin llogari për votat e marra. “Kanë marrë votat, të vijnë këtu. Të hapin thesin!”, u dëgjua nga turma.

Karriqi kritikoi gjithashtu heshtjen e institucioneve vendore, duke deklaruar se edhe bashkia nuk ka reaguar ndaj shqetësimeve të banorëve.

Në fund të takimit, ai iu drejtua qytetarëve duke thënë se ata kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e zgjedhur: “Ju keni të drejtë t’i hiqni mandatin”.

EMISIONET