Çmenduria e një avokati të pandehur

Çmenduria e një avokati të pandehur

Plarent Ndreca na qenka bërë sot autor i një zbulimi epokal në të drejtën procedurale. Gjykata, sipas tij, nuk duhet të caktojë seancën pa marrë më parë pëlqimin e avokatëve!

Fantastike! Dikush t’ia dërgojë urgjent këtë teori fakulteteve të drejtësisë. Ndoshta duhet rishkruar edhe Kodi i Procedurës Penale.

Pra, sipas kësaj logjike, gjyqtari nuk cakton më datën e seancës. Hap një grup në WhatsApp: “Ju lutem, kush është i lirë javën tjetër?” Nëse njëri ka një proces tjetër, tjetri ka pushime, i treti një konferencë dhe i katërti një drekë pune, gjykimi shtyhet. Derisa të bien të gjithë dakord. Ndoshta në vitin 2030.

Ironia është se këtë pretendim e dëgjojmë pasi GJKKO e gjobiti për mungesën e tij, duke arsyetuar se u bë shkak për zvarritjen e procesit. Në vend që të thotë “po, mungova”, del me tezën se problemi nuk ishte mungesa, por fakti që gjykata nuk i mori leje për datën.

Ndërkohë, procesi ndaj Erion Veliajt është shembulli më i mirë se ku të çon kjo filozofi. Ka kaluar afro një vit dhe gjykimi ende nuk ka nisur normalisht, pikërisht për shkak të mungesave dhe kërkesave për shtyrje nga mbrojtja. Tani imagjinoni sikur gjykata të priste edhe miratimin formal të çdo avokati për çdo seancë. Nuk do të flisnim më për një proces penal, por për një serial pa episod të parë.

Në fakt, në Kodin e Procedurës Penale nuk ekziston asnjë nen që thotë se gjykata duhet të negociojë datat e seancave me palët. Përndryshe, çdo avokat do të kishte në dorë një të drejtë vetoje mbi kalendarin e gjykatës.

Kjo është risia më e fundit juridike e një të pandehuri që bën dhe avokatin. Duhet ta dëgjojmë të gjithë dhe të biem dakord me parimin e “së drejtës për të mos pasur kurrë seancë”. Ose të kemi atëherë kur ta gjykojë të përshtatshme ky “avokati” i pandehur./ CNA

EMISIONET