Shkatërrimi i mjedisit në 2 dekada e gjysmë/ Laguna me pronarë, pyje të prera dhe lumenj të gërryer

Shqetësimi për mjedisin në Shqipëri nuk është i ditëve të fundit. Është një histori e gjatë, e dokumentuar ndër vite, që flet për dëmtimin gradual të lumenjve, pyjeve, lagunave, parqeve kombëtare dhe habitateve natyrore në të gjithë vendin.
Prej dy dekadash e gjysëm, “Fiks Fare” ka trajtuar vazhdimisht çështje që lidhen me mjedisin, duke sjellë në vëmendje problematika të ndryshme, pavarësisht kohës, qeverive apo interesave të momentit.

Fiks Fare ka denoncuar gjatë këtyre viteve masakrat mjedisore, nga pyjet e Lurës, në ato të Korçës, në Kelmend, Theth apo guroret në Malin e Tomorrin. Me zë, figurë dhe dokumente janë denoncuar tentativat për t’i kthyer lagunat në pronë private, si ajo e Kune Vainit, Butrintit apo ajo e Divjakës.

Kamera e Fiks Fare ka filmuar për vite me radhë, duke filluar nga viti 2003, gërryerjet në Vjosë, Shkumbin, Mat, Ishëm etj, ku janë filmuar ekskavatorë që nxjerrin inerte natë e ditë, teksa institucionet shtetërore vetëm sa kanë vëzhguar nga larg.

Shkatërrimi i mjedisit, parqeve kombëtare, zonave të mbrojtura, lagunave, ligatinave, lumenjve, detit, malit etj, nuk ka ndodhur sot, por ka vite e vite që ndodh, dhe është denoncuar nga Fiks fare.

Pyetja që mbetet pas më shumë se 24 vitesh denoncimesh është: a kemi mësuar diçka nga alarmet e ngritura ndër vite dhe a ka ndryshuar realisht diçka në mënyrën se si mbrojmë pasuritë natyrore të Shqipërisë?

