Rrëshqitja masive në aksin Librazhd-Prrenjas, kreu i ARRSH: Pati spostim të tokës! Do ndërtojmë një rrugë alternative e do shembim urën
Zv. Ministri i MIE, kreu i ARRSH Ami Kozeli, kreu i AKMC si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve për mbarëvajtjen e rrugëve po mbajnë një konferencë për mediat lidhur me dëmtimin dhe bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec dhe bypassit të ri.
kreu i ARRSH pohoi se pati spostim të tokës rreth 30 cm. Kozeli tha se do ndërtohet një rrugë alternative e do shembet ura e dëmtuar.
"Mbetet ndikimi i reshjeve intensive, erozioni lumor që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive. Në mbledhjen e djeshme, datë 24 shkurt, u morën këto vendime:
Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Prishja e urës ekzistuese dhe lehtësimi i ngarkesës në rrugën e rrëshqitur deri në ndërtimin e një skarpate natyrale.
Sistemi dhe disiplinimi i urave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes.
Aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës",- tha Kozeli.
Drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, është shprehur se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas dhe hekurudhës që ndodhet aty pranë erdhi si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.
Sipas Verdhos, masivi i kësaj zone ka pësuar një rrëshqitje që është aktivizuar 30 vite më parë.

“Segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga vrojtuesit e mjeteve që bëjnë raportim mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës.
Në kilometrin 103-700 në Dragostunjë, pjesë e këtij segmenti, si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër, ku unë do të shtoja masivi, jo rruga apo hekurudha, masivi i asaj zone ka një rrëshqitje që është e aktivizuar me 30 vite përpara.
Ky masiv, i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit, bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si shiu, volumetria e të qenit në këtë kilometër, si dhe lumi Shkumbin me rritje të shtratit dhe përplasje me shtratin e hekurudhës, bëri të mundur planin rrëshqitës.
Gjithë strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do marrim hapat tona, të krijimit të asaj rrugës permanente për pjesën e shtratit lumor.
Do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shtrat, duke bërë prita në Shkumbin. Lehtësimi i shpatit të malit është shumë i nevojshëm, për të mos u përfshirë në planin e rrëshqitjes.
Në studimet gjeologjike ne do të përftojmë koeficentin e fërkimit, sigmën, planin e rrëshqitjes, gjithë këto elementë që ne do të na duhen për të projektuar rrugën e re provizore, apo rrugën e re të Korridorit VIII”, tha mes të tjerash Verdho.


