Revoltë në “Illyrian Guard”, punonjësit i ankohen Ramës për drejtorin Nikolla: Shkarkime pa kriter, po na bëjnë si garnizon

Punonjësit e kompanisë shtetërore "Illyrian Guard" janë revoltuar me drejtuesin e ri të emëruar në janar të këtij viti. Sipas tyre që nga momenti kur Drini Nikolla ka marrë drejtimin e kompanisë shtetërore, ata po kërcënohen me shkarkime nga puna dhe me shkurtime të pakuptimta në organikën e punonjësve të terrenit. Punonjësit janë ankuar edhe tek kryeministri Edi Rama, duke theksuar se po fryhet në mënyrë të pa justifikuar stafi i kompanisë në zyra.

Kompania shtetërore “Illyrian Guard”, që monitorohet nga Këshilli Mbikqyrës i Ministrisë së Brendshme, po përballet me një revoltë nga vetë punonjësit e kësaj shoqërie.

Ora News ka siguruar dokumenta që tregojnë ankesat e punonjësve të “Illyrian Guard”, ku shkak i kësaj situate është bërë administratori i ri i subjektit, Drini Nikolla.

Ky i fundit ka marrë drejtim e “Illyrian Guard” në 26 janar 2021 dhe duke filluar nga kjo periudhë kanë nisur edhe masat ekstreme për largime nga puna.

Nikolla, ka vënë në zbatim planin e krijimit të një strukture të re në organikën e kompanisë, duke sjellë reduktimin e stafit të shërbimit që është në terren, dhe nga ana tjetër fryn administratën e zyrave.

Gjatë 3 muajve ai është përpjekur të krijojë një kabinet këshilltarësh me punonjës të tij, kur në fakt kabineti i kësaj shoqërie, është vetëm Ministri i Brendshëm dhe Këshilli Mbikqyrës i “Illyrian Guard”.

Disa nga punonjësit e kësaj shoqërie, të cilët mbajnë detyrën e përgjegjësve të shërbimit në grup objekte dhe përgjegjës të sigurisë në turne, në muajin Mars 2021, i janë drejtuar me letër ankesë, Këshillit Mbikqyrës të kësaj kompanie, madje kanë shkuar deri tek kryeministri Edi Rama.

Në letrën dërguar kreut të qeverisë ata shprehen:

"Fatkeqësisht, me emërimin e Dini Nikolla në detyrën e administratorit të shoqërisë “Illyrian Guard”, i cili nuk ka mbushur akoma as një muaj e gjysëm në detyrë, kanë ndodhur aq shumë ndryshime negative në drejtim dhe vlerësimin e punonjësve, sa vërtet jemi të shokuar. Brenda kësaj kohe kaq të shkurtër, institucioni është kthyer në një garnizon të mbyllur ushtarak, ku nuk ka vijuar drejtimi i shoqërisë “Illyrian Guard”, por nënshtrimi i personelit të saj, për të zbatuar urdhrat në mënyrën dhe formën që kënaq vetëm administratorin.”

Më tej në letrën e tyre drejtuar Kryeministrit, punonjësit shpjegojnë se Drini Nikolla, në mënyrë selektive prej gati 3 muaj, aplikon ndëshkime me masa ekstreme individuale dhe kolektive, pa u mbështetur në ngjarje apo shkelje të rregullave dhe disiplinës në punë.

Dokumenti që disponon “Ora News” është nënshkruar nga  mbi 60 punonjës që mbajnë detyrën e përgjegjësit të sigurisë në turne dhe përgjegjësve të shërbimit në Grup Objektesh.

Dokumenti njofton se pas datës 1 qershor 2021 pozicioni i punës që mbajnë përgjegjësit shkurtohet si pasojë e riorganizimit të strukturës së re të kompanisë “Illyrian Guard”.

Në fillim të muajit prill 2019, qeveria krijoi një strukturë të re policore, “Illyrian Guard”, e cila do të operonte në treg si shoqëri tregtare për të ofruar shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe private.

EMISIONET