Reshjet në Pogradec/ 5 familje të evakuara dhe 58 banesa me dëme nga uji

Reshjet e fundit kanë shkaktuar vështirësi në Bashkinë Pogradec, ku strukturat lokale dhe grupet e emergjencës po punojnë çdo ditë për normalizimin e situatës.
Janë evakuuar 5 familje: 1 në Çërravë, 3 në Dardhas dhe 1 në Verdovë, të cilat tashmë janë sistemuar në banesa dhe përfitojnë bonus qiraje.
Në akset kombëtare, po punohet për pastrimin e kanaleve shkarkuese dhe largimin e masivëve të dheut, ndërsa disa rrugë rurale mbeten të pakalueshme. Problemet kryesore vazhdojnë të jenë argjinaturat e përrenjve në Qytet, Vërdovë dhe Rrëmenj.
Ndërkohë, janë evidentuar 58 banesa me depërtim uji, dhe verifikimet nga grupet e emergjencës vijojnë. Bashkia, NMIPP, MZSH dhe OSHEE janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë emergjente.
Për çdo ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë: Zjarrfikës 128 | Ambulanca 127 | Policia 129.

