Raprezalje në plazhe/ Zaptuan hapësirat publike, sekuestrohen dhjetëra shezllone në Shëngjin

Raprezalje në plazhe/ Zaptuan hapësirat publike, sekuestrohen

Bashkia e Lezhës ka ndërmarrë një aksion në plazhin e Shëngjinit kundër zaptimit të hapësirave publike nga subjekte private, të cilat kishin shtuar në mënyrë të paligjshme shezllone dhe çadra në zonat e destinuara për pushuesit.

E mbështetur nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe Drejtoria e Shërbimeve kanë ndërhyrë duke sekuestruar pajisjet e vendosura në kundërshtim me ligjin. Vetëm gjatë ditës së sotme, pesë subjekte janë bërë objekt i këtij aksioni.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, bëri të ditur se pas përfundimit të afateve për lidhjen e kontratave, janë kryer verifikime në terren, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh.

Sipas tij, këto ndërhyrje synojnë lirimin e hapësirave publike te destinuara për pushuesit pa pagesa.

Xhanej theksoi gjithashtu se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë ndaj çdo subjekti abuzues.

Bashkia e Lezhës ka sqaruar se të gjitha shezllonet e vendosura në hapësira publike pa pagesë do te sekuestrohen dhe asnjë subjekt nuk mund tolerohet.

Rreth 80% e hapësirës në bregdetin e Lezhës administrohet nga bashkia dhe 60% e saj është pa pagesë për të gjithë pushuesit.

EMISIONET