Raporti para KLP/ Olsian Çela gati gjysma prokurorive bosh nga vakancat e stafeve
Kryeprokurori Olsian Çela ka prezantuar raportin vjetor përpara KLP. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se vakancat e prokurorë arrijnë në rreth 42 %.
“Kujdes i është kushtuar rritjes së eficençës. Bashkëpunimi ynë ka vijuar edhe me autoritete të huaja”, tha ai.
Më tej kryeprokurori Çela tha se në kuadrin e hartë së re gjyqësorë Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka dhënë kontributin e saj. Ai veçoi rritjen e eficençën së punës në çdo prokurori.
Pjesë nga fjala e kryeprokurorit Olsian Çela:
Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, mëgjithë situatën e rënduar, prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse në prokurori vazhduan përpjekjet për të përballuar këtë gjendje kalimtare.
Përgjatë vitit 2022 është kryer mjaft punë për arritjen e një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme. Do të evidentoja këtumasat administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, për rritjen e efiçensës dhe efektivitetit në veprimtarinë e sistemit të prokurorisë bazuar në një kuadër normativ të unifikuar dhe sa më të konsoliduar në veprimtarinë institucionale.
Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me disa institucione e agjenci ligjzbatuese ndërvepruese dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur kapacitetet institucionale e profesionale dhe efiçencën e bashkëpunimit ndërinstitucional, ku veçojmë:
- Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet hartimit të planit të veprimit për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij, me efekte në përmirësimin e mbarëvajtjes së punës në administratën e prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit,me qëllim sigurimin e rritjes së performancës dhe efikasitetit në organizimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e punës në çdo prokurori, forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet përgatitjes së manualit për pastrimin e parave dhe rikuperimin e aseteve në bashkëpunim me projektin EU4FOCAL (FIIAPP-Spanjoll), nëpërmjet trajnimimit vazhdues të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në Shkollën e Magjistraturës si dhe trajnimeve të organizuara në bashkërendim me misionet ndërkombëtare që asistojnë prokurorinë përfshi dhe policinë gjyqësore.
Ndërkohë, kujdes i veçantë i është kushtuar rritjes së efiçencës së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në nivel qëndror e vendor, me miratimin dhe zbatimin e akteve të përbashkëta me disa institucione të përfshira në marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi. Ka vijuar bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja nëpërmjet zyrës të prokurorit ndërlidhës në Eurojust. Vlen të theksohen nënshkrimi i marrëveshjes së punës dy palëshe me Zyrën e Prokurorit Europian në Luksemburg si dhe i memorandumit të mirëkuptimit me Shoqatën Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP), aktivitete që evidentojnë tregues në rritje të bashkëpunimit si brenda vendit ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë e autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Këto kanë ndikuar në rritjen e besimit tek institucioni i prokurorisë nga partnerët tanë në marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.
- Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022 ” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm ashtu dhe miratimit të planit të veprimit, masa këto me efekte orientimi të politikave institucionale, për ndjekjen e unifikuar të rekomandimeve prioritare të KM, nëpërmjet masave administrative dhe procedurale të përcaktuara për drejtuesit e prokurorive, për riorganizimin e brendshëm dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale prioritare të rekomanduara, si dhe për koordinim dhe monitorim në vazhdimësi të ecurisë së tyre, për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, llogaridhënies, forcimin e ligjshmërisë dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor nga prokurorët në ushtrimin e funksioneve.
-Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjthshme në bashkërendim dhe koordinim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, është përfshirë, angazhuar dhe ka kontribuar në fazën përgatitore të hartës së re gjyqësore, si një nevojë e domosdoshme në kushtet aktuale të gjendjes së shkaktuar nga vakancat në sistemin e prokurorisë, për të mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në prokurori, si dhe për të mundësuar rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambjente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratën dhe shërbimet mbështetëse, si dhe përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës. Ndërkohë, me miratimin e hartës së re gjyqësore u miratua udhëzimi i përgjithshëm “Për masat administrative dhe proceduriale për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”. Ky udhëzim i përgjithshëm ka unifikuar masat administrative dhe proceduriale që duhen marrë fillimisht nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit, me efekte zbatimi më datë 1 shkurt 2023, dhe në vijim nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, me efekte zbatimi më 1 maj 2023, për administrimin e tyre pranë prokurorive që i përfshijnë brenda kompetencave tokësore sipas hartës së re gjyqësore, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve e viktimave në procesin penal, dhe ruajtjen e sekretit të hetimeve apo ndalimin e publikimit të akteve proceduriale penale, në zbatim të parimit të ligjshmërisë dhe sigurimin e vazhdimësisë të shërbimeve për publikunnë prokurori, sipas afateve të përcaktuara, për të mundësuar funksionalitetin e secilës prokurori.
- Masat e marra në drejtim të forcimit të pavarësisë së prokurorëve, mirëfunksionimit të zyrave të prokurorive dhe rritjes së efiçencës të punës në çdo prokurori, nëpërmjet vijimit të monitorimit të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr.12/2020.
-Vijimin e masave të marra nëpërmjet koordinimit dhe monitorimit të zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme për përmirësimin e punës në prokurori në drejtim të respektimit të të drejtave të viktimave të krimit, veçanërisht ato të dhunës në familje e grupeve vulnerabël dhe të miturve në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitar, si dhe organizimin e tryezave të diskutimeve dhe pjesëmarrjes në trajnime, masa këto që do të vijojnë të jenë në fokusin tonë edhe në vitin 2023.
-Në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore, rekomandimeve të rezolutës dhe rekomandimeve të BE, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e aktiviteteve. Përmendim këtu miratimin e urdhrit “Për ndryshime dhe shtesa në “Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme” të strukturës përkatëse të integrimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ku normohen funksionet për përmbushjen e detyrave dhe angazhimeve institucionale të prokurorisë në kuadrin e integrimit europian të vendit. Ka vijuarpërmbushja e rekomandimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE, nëpërmjet veprimtarisë të Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust dhe plotësimi i kërkesave në rekomandimin R.38 të Komisionit të Ekspertëve të KiE-së Moneyval për Shqipërinë, plotësimi në bashkërendim dhe koordinim me Prokurorinë e Posaçme i rezultateve immediate IO.7 dhe IO.8 të planit të veprimit të FATF/ICRG . Ka vijuar kontributi në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në kuadër të takimeve dypalëshe “Screening” Bashkimi Evropian - Shqipëri, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” si dhe në aktivitetet e tjera në përmbushje të këtyre angazhimeve.
- Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, objektivave institucionale, udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit të miratuara, ashtu si u theksua dhe ne hyrje të këtij raportimi, jemi të ndërgjegjshëm se realizimi i tyre është vështirësuar, si për shkak se në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm vijon krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme në këtë periudhë të gjatë kalimtare, ashtu dhe nevojave për ndryshimeve ligjore në kuadrin e implementimit të reformës dhe në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
Në mënyrë të përmbledhur aspektet e veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2022, pasqyrohen më në detaje, sa më poshtë:
I. Organizimi i brendshëm, gjendja, progresi, problematikat dhe mbështeja që kërkohet.
Përgjatë vitit 2022, për shkak të vakancave numri i përgjithshëm faktik i prokurorëve ka qenë 187 dhe në korrik me emërimin e 22 magjistratëve të rinj në fund të vitit ishte 202, tregues që evidenton se 134 deri 119 prokurorë i kanë munguar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm ose me ulje në total deri në 8.7% të numrit të prokurorëve krahasuar me vitin 2021. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: -162 deri në 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 125 deri në 110 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave ose me ulje deri në 13,6 % krahasuar me vitin 2021; -16 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të apelit ose 10 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave, dhe -9 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 8 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave, ose me diferenca në të njëjtat shifra në këto dy nivele krahasuar me vitin 2021. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2019 shifra në ulje të numrin faktik në total është deri rreth 42 % e prokurorëve.
Në kushtet e gjendjes së krijuar në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm me rritjen e vakancave deri në 44,96 % të numrit faktik të prokurorëve, ku në disa prokurori nuk është mundësuar funksionimi i seksioneve sipas ligjit, me synim shmangien e mangësive lidhur me funksionimin e seksioneve, deri në hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore, dhe ruajtjen e nivelit të efiçencës në veprimtarinë administrative e funksionale të tyre,u miratua urdhri“Për miratimin e një shtese në rregulloren standard “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm”, mbi bazën e të cilës drejtuesit e prokurorive përkatëse kanë miratuar shtesa në rregulloret standard për organizimin dhe funksionimin e prokurorive që drejtojnë, për të siguruar efiçencën në funksionimin e veprimtarisë që kryen secila strukturë në prokurori.
Të tjera udhëzime të përgjithshme dhe akte normative me rëndësi në aspektin organizativ dhe funksional të miratuara në vitin 2022 mund të përmendim: - udhëzimi i përgjithshëm “Për rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”; udhëzimi i përgjithshëm “Për administrimin qarkullimin dhe ruajtjen e vendimeve të përgjimit parandalues të klasifikuara “Sekret shtetëror”; - “Për disa ndryshime e shtesa në udhëzimin ”Për masat administrative dhe procedurale për rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave, krimeve financiare, financimit të terrorizmit dhe hetimet pasurore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”; -udhëzimi i përgjithshëm “Për disa shtesa në udhëzimin e përgjithshëm ”Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe ligjore”; si dhe një sërë urdhrash që lidhen me shtesat në rregulloret standard të prokurorive me fokus mirëorganizmin e zyrave, urdhrat që lidhen me miratimin e planeve të veprimit për zbatimin e rezolutës së Kuvendit dhe ndjekjes së rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit etj.
Nisur nga qëllimi për të lehtësuar rritjen e ngarkesës së prokurorëve dhe për forcimin e kapaciteteve të seksioneve të policisë gjyqësore në prokurori si struktura mbështetëse në veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar për shkak të vakancave në sistemin e prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme në projektbuxhetin për vitin 2022 i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë rritjen e numrit organik të oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve në prokurori. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rritjen e numrit organik me 30 oficerë të policisë gjyqësore të seksioneve në prokurori, dmth nga numri organik që ishte 216, aktualisht numri organik është 246 oficerë të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive. Në kuadrin e zbatimit të procedurave të konkurimit dhe rekrutimit të kandidatëve për oficerë të policisë gjyqësore në seksionet e prokurorisë, mbi propozimet e Prokurorit të Përgjithshëm, Komisioni i Policisë Gjyqësore, përgjatë vitit 2022, ka vendosur emërimin e 21 oficerëve të Policisë Gjyqësore në seksionet e policisë gjyqësore në prokuroritë përkatëse, me synim për të lehtësuar dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve në përballimin e volumit në rritje të punës tyre. Ndërkohë, ka vijuar procedura e konkurimit dhe e kandidatëve të tjerë për rekrutimin dhe emërimin e tyre nga Komisioni i Policisë Gjyqësore.
Krahas masave e aktiviteteve më sipër dhe plotësimit të vakancave me 22 magjistratë/prokurorë të rinj nga Shkolla e Magjistraturës, të emëruar nga KLP në korrik 2022, në kuadrin e zbatimit të hartës së re gjyqësore jemi angazhuar në bashkëpunim me KLGJ dhe MD për të mundësuar rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambjente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratën dhe shërbimet mbështetëse, për përmirësimin e infrastrukturës si në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, që ka vijuar veprimtarinë më 1 shkurt 2022, ashtu dhe në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë që vijojnë veprimtarinë më 1 maj 2022, forcimin e kapaciteteve institucionale të prokurorive dhe kapaciteteve profesionale të prokurorëve, si dhe për sigurimin e aksesit të shtetasve në prokurori.
Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar punën në bashkërendim me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për vlerësimin e kapaciteteve humane, teknologjike dhe marrjen e masave të tjera për ngritjen sa më parë të sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori me standardet aktuale. Në këtë vështrim, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar në mbledhjen e të dhënave për sistemin e ri CAMS, draftimin e tyre për standartizimin final të termave te referencës për këtë sistem dhe integrimin e sistemit IMPRO në Prokurorinë e Përgjithshme me sistemin M-File të Ministrisë së Drejtësisë dhe me sisteme te tjera ndërvepruese, si dhe ndërlidhjen me bazat e të dhënave shtetërore, të cilët do të mundësojë dixhitalizim të plotë të proceseve të punës së prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm. Për më tepër, mbi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, Kuvendi i Shqipërisë ka akorduar një fond për Prokurorinë e Përgjithshme, si fazë e parë për investimin/ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve (CAMS), në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
II. Veprimtaria e prokurorive, problematikat dhe çështjet që kërkojnë vëmendje.
1. Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm
Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës të prokurorive për vitin 2022 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë. Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj.
Gjatë vitit 2022, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61045 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 0,11% në krahasim me vitin 2021. Janë ndjekur gjithsej 48250 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,63 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat 25708 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,32 % në krahasim me vitin 2021 dhe 677 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 27,52 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21865 procedime penale me rritje prej 20,19 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi për 12795 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 5,23% në krahasim me vitin 2021.
Gjatë vitit 2022 janë përfunduar 25853 çështje që përbën rritje prej 0,64 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2021, prej të cilave: 42,49 % janë dërguar për gjykim, 25,30% janë pushuar, 30,03 % janë pezulluar dhe 2,18 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Janë dërguar në gjykatë 10984 çështje, me akuzë ndaj 12936 të pandehurve, të cilat përbëjnë 66.87 % të totalit të çështjeve në raport me çështjet e pushuara. Krahasuar me vitin 2021 rezulton një rritje prej 4,64 e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 4,80 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë.
Janë dërguar në gjykatë për pushim 5440 çështje, që përbëjnë 33,13 % të totalit të çështjeve në raport me çështjet e dërguara për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 16,09 % të çështjeve të pushuara, prej të cilëve 41,91 % janë pushuar për mungesë fakti. Nga të dhënat rezulton se për 140 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve oseme ulje 2,78 % krahasuar me vitin 2021, ndërsa në 6 çështje është vendosur kthimi i akteve dhe formulimi i akuzës, shifër e njëjtë me vitin 2021.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2022 mbi kërkesat për gjykim të prokurorëve nga gjykata janë dënuar 10546 të pandehur dhe për 217 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm, që zënë 2 % të personave të dënuar, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 14,53 % e numrit të pandehurve të dënuar.
i) Performanca e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë.
-Procedime të regjistruara/procedime të përfunduara (Niveli i efikasitetit)
Të dhënat me numrin e procedimeve të regjistruara për secilën prokurori pranë gjykatave të shkallës së parë, përgjatë vitit 2022, janë në paraqitjen grafike më poshtë:
Nga analiza në përqindje e raportit të çështjeve të përfunduara me procedimet e regjistruara në secilën prokurori, për vitin 2022 evidentohet performancë më e ulët në prokuroritë e rretheve gjyqësor Kavajë, Gjirokastër, Lushnje, Përmet, me tregues të performancës nën 75 %, etj, ndërsa performanca më e lartë evidentohet në prokuroritë e rretheve gjyqësore Pukë, Kukës, Krujë, Kurbin, Sarandë, Vlorë, Mat e disa të tjera me tregues të performancës mbi 100%.
Ky raport evidenton performancën lidhur me efikasitetin e punës së prokurorive përgjatë vitit 2022 sipas standardit europan (Cepej), ku pasqyrohet gatishmëria dhe mundësia e secilës prokurori për të përfunduar brenda vitit procedimet e regjistruara.
-Procedime në ndjekje/procedime të përfunduara (Shkalla e mbingarkesës në prokurori)
Të dhënat sipas secilës prokurori për vitin 2022 që tregojnë totalin (volumin e punës) janë: - 21868 çështje të mbartura, - 25708 çështje të regjistruara, - 677 çështje të rifilluara dhe - 12795 procedime të mosfilluara, dhe paraqitjen në grafikun më poshtë.
Në paraqitjen grafike më poshtë “Raporti i pocedimeve të përfunduara me procedimet në ndjekje/hetim” evidentohet përqindja e raportit të procedimeve të përfunduara me çështjet në ndjekje/hetim (mbartura dhe regjistruara, etj), d.m.th procedimet në ndjekje, në secilën prokurori për vitin 2022, evidentojnë treguesit si: nga performanca më e ulët që konstatohet në prokurorinë e rrethit gjyqësor Sarandë, ku janë përfunduar 15 % e procedimeve në ndjekje, dhe vijon me rend rritës në rrethet gjyqësore Gjirokastër, Berat, Dibër, Korçë, Pogradec deri në 35 %, dhe tregues me performancë më të lartë në prokuroritë e rretheve gjyqësore Mat, Kukës, që kanë përfunduar 74 % të procedimeve në ndjekje dhe që vijon në rend zbritës në rrethet gjyqësore Kurbin, Shkodër, Lezhë përkatësisht 69 %, 65%, 53% etj nën 50 %.
Raporti më sipër evidenton se 17 prokurori të rretheve gjyqësore me tregues nën 50 % të çështjeve të përfunduara brenda vitit 2022, me të njëjtin numër faktik të prokurorëve, vlerësojmë se mund t’ju duhej më shumë se 1 (një) vit efikasitet në pune për të përfunduar të gjitha çështjet në ndjekje, pa regjistruar procedime të reja, rrethana që evidentojnë nevojën emergjente për të vlerësuar dhe plotësuar vakancat, përfshi dhe ato prokurori që nuk do të kenë ndryshime me hartën e re gjyqësore.
-Ngarkesa e prokurorëve.
Ngarkesa mesatare për çështjet e përfunduara sipas numrit faktik të prokurorëve në vitin 2022 në paraqitjen grafike më poshtë janë: -më e larta 232 çështje të përfunduar në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkodër, dhe -më e ulta 63 çështje të përfunduar në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Gjirokastër, rrethana që rast pas rasti mund të evidentojnë nevojën për të rivlerësuar numrin faktik të prokurorëve në ato prokurori ku shifra mesatare e ngarkesës për prokuror është e lartë ose me tendencë në rritje të treguesve të procedimeve në ndjekje, me synim unifikimin e ngarkesës së prokurorëve sa më afër nivelit mesatar në të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
-Në analizë të performancës së prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë, ku evidentohet përqindja që zënë procedimet e regjistruara dhe procedimet e mbartura në volumin e punës, përqindja që zë raporti i procedimeve të përfunduara me procedimet në ndjekje, dhe procedimeve të përfunduara me procedimet e regjistruara, të dhënat janë si vijon:
Raporti i procedimeve të regjistruar në totalin e volumit
Raporti i procedimeve të mbartura në totalin e volumit
Raporti i procedimeve të përfunduara me procedimet në ndjekje
Raporti i procedimeve të përfunduara me procedimet e regjistruara
Mesatarja për prokuror çështje ndjekura (numri faktik)
Berat 24% 51% 25% 103% 467(ulur)
Dibër 29% 43% 32% 87% 355 (ulur)
Durrës 38% 32% 41% 103% 318 (rritur)
Elbasan 47% 42% 46% 111% 235 (rritur)
Fier 49% 43% 38% 97% 300 (rritur)
Gjirokastër 35% 41% 22% 70% 286 (ulur)
Kavajë 47% 58% 46% 65% 381 (nivel i njëjtë)
Korçë 42% 32% 32% 94% 261 (ulur)
Krujë 33% 46% 48% 133% 296 (ulur)
Kukës 58% 24% 74% 136% 288 (ulur)
Kurbin 49% 36% 69% 129% 238 (ulur)
Lezhë 51% 34% 53% 102% 273 (ulur)
Lushnje 41% 41% 42% 73% 470 (ulur)
Mat 51% 2% 74% 111% 174 (rritur)
Përmet 60% 40% 48% 75% 278 (rritur)
Pogradec 42% 35% 35% 88% 361 (rritur)
Pukë 34% 12% 43% 297% 174 (rritur)
Saranda 16% 47% 15% 123% 440 (ulur)
Shkodër 45% 45% 65% 87% 356 (rritur)
Tiranë 47% 27% 44% 98% 414 (rritur)
Tropojë 42% 46% 41% 85% 262 (ulur)
Vlorë 41% 15% 41% 121% 301 (ulur)
-Raporti i numrit mesatar të procedimeve të regjistruara sipas numrit organik dhe faktik të prokurorëve dhe sipas prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë paraqitet në vijim:
-Raporti i numrit mesatar të procedimeve në ndjekje sipas numrit organik dhe faktik të prokurorëve dhe sipas prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë paraqitet në vijim:
Mesatarja e çështjeve të regjistruara gjatë vitit 2022 në raport me numrin faktik të prokurorëve në prokuroritë e rretheve gyqësore, në rang vendi rezulton të jetë 142 procedime penale për çdo prokuror, një nga treguesit që nevojitet të mbahet në konsideratë për shpërndarjen e balancuar e numrit të prokurorëve në rang vendi. Nga të dhënat rezulton se rreth kësaj mesatare afrohen prokuroritë në rrethet gjyqesore Vlorë, Lezhë, Fier, Pogradec e Shkodër, ku mesatarja e regjistrimeve të reja varion nga 124 në 161 procedime. Ndërkohë, kanë një raport ndjeshëm të rritur prokuroritë në rrethet Kukës, Kavajë, Tiranë dhe Lushnje, ku shifrat variojnë nga 168-194, ndërsa rezultojnë me një mesatare të ulët rrethet Elbasan, Krujë, Mat, Sarandë dhe Pukë, ku mesatarja varion nga 111-59 procedime penale.
Përtej kësaj shifre, nisur nga probleme të akumuluara në vitet e kaluara, nëse do të llogarisim ngarkesën mesatare faktike bazuar në procedimet në ndjekje (regjistruara +mbartura), situata rezulton shumë e rënduar në rrethet Lushnje, Berat, Sarandë, Tiranë, Pogradec, Dibër e Durrës, me një mesatare të ngarkesës nga 318 në 470 procedime për çdo prokuror, ndërsa ngarkesa mesatare faktike më e ulët mbetet në rrethet Mat, Pukë, Elbasan, Kurbin, Korçë, Tropojë, Lezhë e Përmet, ku varion nga 174 në 278 procedime.
2. Veprimtaria e prokurorive të apelit me juridiksion të përgjithshëm
i) Performanca e prokurorive pranë gjykatave të apeleve
- Procedime të regjistruara/procedime të përfunduara (Niveli i efikasitetit).
Në kuadrin e vlerësimit të performancës së prokurorive të apelit, treguesi “çështje themeli dhe masa sigurimi” që evidenton çështjet e themelit dhe masat e sigurimit të regjistruara përgjatë vitit 2022 sipas prokurorive të apeleve, dhe treguesi “kërkesa për themel dhe masa sigurimi” që evidenton numrin e çështjeve që prokurorët e apelit kanë përfunduar në gjykatën e apelit, janë paraqitur në grafikun dhe tabelen më poshtë.
Raporti në përqindje i procedimeve të përfunduara me çështjet e regjistruara në secilën prokurori apeli për vitin 2022, evidenton treguesit, -nga performanca më e ulën 86 % në Prokurorinë e Apelit Durrës, deri në performancën më të lartë 110 % në Prokurorinë e Apelit Korçë. Ky raport evidenton dhe efikasitetin e punës të secilës prokurori apeli brenda vitit 2022, ku pasqyrohet gatishmëria dhe mundësia e secilës prokurori për të përfunduar brenda vitit procedimet e regjistruara.
2022 Gjithsej çështje themeli dhe masa sigurimi
Gjithsej kerkesa për themel dhe masa (përfshi mospranim ankimi)
Prokuroria e Apelit Tiranë 1972 2032 103 %
Prokuroria e Apelit Durrës 658 569 86 %
Prokuroria e Apelit Korçë 311 341 110 %
Prokuroria e Apelit Shkodër 605 605 100 %
Prokuroria e Apelit Vlorë 713 659 91 %
Prokuroria e Apelit Gjirokastër 272 272 100 %
Në këtë vështrim, sipas tabelës më sipër, vihen re përqindjet e efikasitetit, siç janë, kur vlera është më e vogës se 100% tregon se prokuroria e apelit nuk ka arritur të përfundojë të gjitha çështjet e regjistruara, kur vlera është 100% tregon se prokuroria e apelit ka qenë plotësisht efikase në përfundimin e çështjeve të regjistruara, dhe kur vlera është më e lartë se 100% tregon se prokuroria ka arritur të përfundojë më shumë procedime se sa ka regjistruar, duke ulur dhe numrin e procedimeve të mbartura nga viti paraardhës, siç janë Prokuroritë e Apeleve Tiranë e Korçë përkatësisht me 103 % dhe 110 % të çështjeve të përfunduara.
- Ngarkesa e prokurorëve të Apeleve
Kjo ngarkesë përfaqëson numrin mesatar të çështjeve të përfunduara nga një prokuror në apel brenda vitit, e përllogaritur me numrin e çështjeve të ndjekura (mbartura dhe regjistruara) gjatë vitit 2022 në raport me numrin e prokurorëve të angazhuar gjatë këtij viti.
Mesatarja e çështjeve të përfunduara për çdo prokuror në apel sipas numrit faktik të prokurorëve dhe sipas prokurorive është në paraqitjen grafike si më poshtë:
Kjo paraqitje grafike evidenton se ngarkesa mesatare për çështjet e përfunduara nga prokurorët e apelit në vitin 2022 është më e larta prej 339 çështje të përfunduara në Prokurorinë e Apelit Tiranë dhe më e ulta me prej 171 çështje të përfunduara në Prokurorinë e Apelit Korçë. Veç sa më sipër, referuar disa treguesve të tjerë të performancës së prokurorive të apeleve, gjatë vitit 2022, evidentohet se prokurorët e apelit:
-kanë hequr dorë në 15,86 % të ankimeve të prokurorit të shkallës së parë për çështje themeli;
-kanë kërkuar në 3,65 % të kërkesave lehtësim të pozitës së të pandehurit (në 9,09 % të rasteve gjykata ka vendosur lënie në fuqi të vendimit);
-kanë kërkuar në 1,27 % të kërkesave prishjen e vendimit dhe vendosjen e pushimit ose pafajësi (në 47,8 % të rasteve gjykata ka vendosur lënie në fuqi të vendimit);
-kanë kërkuar në 1,55 % të kërkesave prishjen e vendimit dhe kthimi i akteve (në 14,3 % të rasteve gjykata ka vendosur lënie në fuqi të vendimit);
-gjykata ka mbështetur kërkesën e prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë në 79,02 % të rasteve dhe kërkesën e prokurorit për rëndimin e pozitës së të pandehurit në 32,6 % të rasteve.
Gjithashtu, evidentohen edhe elementë të tjerë të treguesve të performancës së prokurorëve të apelit të shprehur në përqindje për secilën prokurori apeli, sipas treguesve në tabelën më poshtë:
Hequr dorë nga apeli i prokurorit të Sh.I Themel
Hequr dorë nga apeli i prokurorit të Sh.I për Masa Sigurimi
Miratuar kërkesa për lënie në fuqi Themel
Miratuar kërkesa për lënie në fuqi Masë Sigurimi
Miratuar kërkesa për rëndim pozite Themel
Prokuroria e Apelit Tiranë 25,6% 34% 90,3% 83% 20,8%
Prokuroria e Apelit Durrës 2,27% 3,5% 64% 75,6% 27%
Prokuroria e Apelit Korçë 50% 8,3% 72% 65% 100%
Prokuroria e Apelit Shkodër 8,45% 4,1% 62% 80% 32,7%
Prokuroria e Apelit Vlorë 19,6% 32,5% 58% 72% 47%
Prokuroria e Apelit Gjirokastër 4,2% 10% 78,3% 87,6% 43,7%
Këto tregues evidentojnë: -në çështjet e themelit që është hequr dorë nga apelimi i prokurorit të shkallës së parë përqindja më e lartë prej 50 % është në Prokurorinë e Apelit Korçë, ndërsa përqindja më e ulët 2,27 % është në Prokurorinë e Apelit Durrës;-në çështjet për masa sigurimi që është hequr dorë nga apelimi i prokurorit të shkallës së parë, përqindja më të lartë prej 34 % është në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ndërsa përqindje më e ulët 3,5 % është në Prokurorinë e Apelit Durrës; -miratimi nga gjykata i kërkesave të prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit për çështje themeli,përqindja më të lartë prej 90,3 % është në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ndërsa përqindja më e ulët 58 % është në Prokurorinë e Apelit Vlorë; -miratimi nga gjykata i kërkesave të prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit për masë sigurimi,përqindja më e lartë prej 87,6 % është në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër, ndërsa përqindja më e ulët prej 65 % është në Prokurorinë e Apelit Korçë; -miratimi nga gjykata i kërkesave të prokurorit të apelit për rëndim pozite për çështje themeli,përqindja më e lartë prej 100 % është në Prokurorinë e Apelit Korçë, ndërsa përqindja më e ulët 20,8 % është në Prokurorinë e Apelit Tiranë.
3. Veprimtaria e Prokurorisë së Përgjithshme
Në përmbushje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, veprimtaria e Prokurorisë së Përgjithshme, përgjatë vitit 2022, ka vijuar në realizimin e misionit dhe objektivave prioritare, zbatimin e rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur meprioritetet e shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, si dhe të angazhimeve në zbatim të disa strategjive ndërinstitucionale ku jemi të përfshirë, të trajtura më sipër në këtë raportim. Lidhur me veprimtari dhe aktivitete të tjera, mund të permendim:
3.1Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në ushtrimin e funksioneve kanë përfaqësuar organin e akuzës në 75 çështje pranë Gjykatës së Lartë, prej të cilave 65 gjykime themeli (nga 34 gjykime themeli në vitin 2021), ku 4 (katër) përfaqësime në gjykime për të njësuar/ndryshuar praktikën gjyqësore, dhe 6 gjykime për masa sigurime (nga 20 gjykime masa sigurimi në vitin 2021), si dhe në cilësinë e subjektit të interesuar pranë Gjykatës Kushtetuese për 11 çështje (nga 5 çështje vitin 2021).
-Ndërkohë, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale janë trajtuar dhe u është dhënë zgjidhje ligjore 40 kërkesave për mosmarrëveshje për kompetencat (tokësore) mes prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
3.2 Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, përgjatë vitit 2022 janë kryer raportimet dhe informimet për institucionet kushtetuese, dërguar: Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Drejtësisë, etj, për zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave, bazuar, si në progresin e politikave, masave dhe aktiviteteve institucionale të Prokurorisë së Përgjithshme dhe disa prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, ashtu dhe me të dhënat e treguesve kryesorë të progresit të punës së prokurorive, sipas periudhave raportuese.
3.3 Prokuroria e Përgjithshme, për të realizuar funksionet dhe detyrat kushtetuese e ligjore që ka në kompetencë dhe në kuadrin e kërkesave dhe rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare është angazhuar për normimin dhe unifikimin e veprimtarive administrative dhe funksionale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, me synim garantimin e pavarësisë së prokurorëve, rritjen e efektivitetit në kryerjen e hetimeve ushtrimin e ndjekjes penale dhe ngritjen e përfaqësimin e akuzës në gjykatë, ashtu dhe për përgatitjen e projekt-akteve të përbashkëta me institucione të tjera të përfshira për rritjen e efiçencës në bashkëpunimin ndërinstitucional me strukturat hetimore të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe agjensitë ligjzbatuese për rritjen e efektivitetit në veprimtarinë proceduriale penale dhe në ushtrimin e funksioneve apo detyrave të tjera të parashikuara me ligj.
-Në këtë vështim, janë përgatitur e miratuar: -4 udhëzime të përgjithshme, -4 urdhra normativë për miratimin e planeve të veprimit dhe normimin e veprimtarive të tjera administrative apo funksionale, si dhe –inicuar, përgatitur dhe nënshkruar 3 marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale me autoritete qëndrore brenda vendit dhe autoritete të huaja dhe 1 (një) udhëzim i përbashkët me Prokurorinë e Posaçme dhe Ministrinë e Brendshme.
3.4 Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në raportimin e progresin në kuadrin e zbatimit të rekomandimeve të BE-së, ku institucionalisht jemi përfshirë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në kuadër të takimeve dypalëshe “Screening” Bashkimi Evropian - Shqipëri, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” dhe në aktivitete te tjera në përmbushje të këtyre angazhimeve.
- Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka bashkërenduar dhe koordinuar punën në nivel qendror e vendor me të gjithë institucionet ligjzbatuese të përfshira, fokusuar në kontributin institucional të prokurorisë në raportimin periodik të progresit si lidhur me masat për përmbushjen e rekomandimit R.38 të Komisionit të Ekspertëve Moneyval të KiE-së për Shqipërinë, publikuar progres raporti në qershor 2022, ashtu dhe përmbushur rekomandimi i BE-së dhe masat e planit të veprimit të ICRG/FATF -Shqipëri, në raportimin periodik të progresit publikuar progres raporti në plenaren e FATF për Shqipëria, në Paris, 20 shkurt 2023, ku ndër të tjera, është vlerësuar se “...Shqipëria ka përfunduar në mënyrë thelbësore planin e saj të veprimit dhe vlerëson punën e Shqipërisë për të adresuar mangësitë e saj strategjike...”.
4. Monitorimi, gjendja, problematikat dhe mbështetja që kërkohet
4.1 Prokurori i Përgjithshëm, në kuadrin e kujdesit për ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të prokurorisë dhe mbikëqyrjes së zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme, përgjatë vitit 2022, për të monitoruar si zbatimin, ashtu dhe si kanë ndikuar udhëzimet e përgjithshme në gjendjen e kriminalitetit në fushat e rekomanduara dhe efektivitetin e ushtrimit të ndjekjes penale në fushat përkatëse, periodikisht ka vijuar kërkesat për informacione drejtuesve të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm lidhur me masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, nëse kanë nxjerrë udhëzime të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, apo për kërkimin e informacionit për ecurinë e procedimeve dhe/ose për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët lidhur me çështje konkrete, apo nxjerrjen e urdhrave për policinë gjyqësore lidhur me ushtrimin e funksioneve të tyre, dhe nëse kanë marrë masa për koordinimin e veprimtarisë me prokuroritë e tjera.
i) Kjo veprimtari ka synuar dhe synon që drejtuesit e prokurorive të sigurojnë efiçencën, ligjshmërinë dhe transparencën në veprimtarinë e prokurorisë, si dhe efektivitetin në ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurorët në prokurorinë që drejtojnë, në përmbushje të rekomandimeve, si në marrëdhënie me institucionet kushtetuese brenda vendit, ashtu dhe në marrëdhënie me institucionet apo autoritetet ndërkombëtare dhe në raportimin e progresit në kuadrin e integrimit evropian të vendit, duke garantuar pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve kushtetuese e ligjore.
4.2 Në këtë vështrim, në marrëdhëniet me drejtuesit e prokurorive lidhur me veprimtarinë organizative dhe administrative të tyre, ka vijuar evidentimi i mangësive dhe problemeve: -në cilësinë e informimit dhe raporteve që përcillen nga prokuroritë e rretheve për Prokurorin e Përgjithshme, sipas përcaktimeve me aktet ligjore dhe nënligjore, -lidhur me ecurinë e veprimtarisë së prokurorive që drejtojnë, të dhënat statistikore periodike, kërkesat për informacion, raportimet periodike tre mujore, etj; -mospërmbushje të kërkesave për raportim dhe informim sipas ligjit dhe/ose zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme, etj.
4.2.1 Konkretisht, nga informacionet e përcjella nga drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm përgjatë vitit 2022 lidhur me masat e marra për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme dhe akteve të tjera nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm rezulton se:
i) Në një masë të konsiderueshme drejtuesit e prokurorive rezulton se nuk luajnë një rol dinamik dhe aktiv në ushtrimin e detyrave të tyre në këtë aspekt. Konstatohet se roli i tyre kufizohet përgjithësishtnë marrjen e masave formale apo të masave të paplota administrative ose procedurale për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit të Prokurorit të Përgjithshëm, të nxjerra në kuadrin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të KM. Spikat këtu mungesa e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete, në kuadër të planeve të veprimit në kuadër të rekomandimeve të sipërpërmendura. Roli i drejtuesve në këtë aspekt është themelor, pasi rrit kohezionin e prokurorisë dhe lejon atë të veprojë në mënyrë të organizuar dhe eficentë ne ndjekjen e prioriteteve të luftës ndaj kriminalietit.
ii) Vazhdon të mbetet problem dhënia e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete edhe jashtë kuadrit të planeve të veprimit, pasi vetëm në një numër të vogël të prokurorive rezulton që drejtuesit të nxjerrin udhëzime të kësaj natyre. Ky fakt u evidentua edhe në kuadër të kërkesave që ekspertët e Komisionit Evropian i drejtuan prokurorisë për 9 mujorin e vitit 2022, ku u evidentua fakti se në gjithë vendin ishin dhënë vetëm 32 udhëzime. Ky është tregues shqetësues mbi efektshmërinë në ushtrimin e rolit drejtues dhe ka nevojë për përmirësime të treguesve.
iii) Konstatohet se në përgjithësi raportet vjetore të punës së paraqitura si në vitin 2021 ashtu edhe në vitin 2022 kanë nevojë për t’u përmirësuar në mënyrë që t’i shërbejnë analizës së gjëndjes së kriminalitetit dhe evidentimit e zgjidhjes së problemeve organizative dhe funksionale të prokurorisë. Megjithëse u është tërhequr vazhdimisht vëmendja, nuk ka një reflektim serioz në këtë drejtim. Mbetet thelbësore një qasje e re nga ana e drejtuesve, larg trajtimit formal të këtyre raporteve, rrjedhojë edhe e një tradite aspak pozitive të së shkuarës.
Prokuroria e Përgjithshme, në 3 mujorin e parë 2022 dhe në vijim ka mbikëqyrur zbatimin e udhëzimit të përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, i ndryshuar, nëpërmjet kërkesave për informacion për zbatimin e këtij udhëzimi, dhe jo vetëm, paraqitjes së raporteve vjetore mbi ecurinë e punës në secilën prokurori të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe pjesëmarrjes së Prokurorit të Përgjithshëm në analizat vjetore të punës së prokurorive për vitin 2021, ku janë evidentuar mangësi në dokumentimin e komunikimeve të ndërsjella të prokurorit me drejtuesin e prokurorisë për të cilët është tërhequr vëmendja për shmangien e tyre, dhe zbatimit të këtij udhëzimi të përgjithshëm të detyrueshëm për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve kushtetuese e ligjore.
4.3 Përgjatë vitit 2022, Komisioni i Policisë Gjyqësore, në kuadrin e vlerësimit të rezultateve të punës dhe integritetit të oficereve të policisë gjyqësore të seksioneve në prokurori, ka vënë re se drejtuesit e prokurorive të rrethe gjyqësore përgjithësisht kanë bërë vlerësime formale dhe dukshëm jo objektive dhe në përputhje me kriteret ligjore si dhe metodologjinë për vlerësimin e rezultateve të punës dhe integritetit të oficereve të policisë gjyqësore të seksioneve në prokuroritë që drejtojnë. Në raportet e vlerësimit të paraqitura nga drejtuesit e prokurorive për klasifikimin dhe vlerësimin e secilit opgj, Komisioni ka konstatuar se vleresimi i bërë nga drejtuesit e prokurorive nuk përputhet me treguesit e volumit/ngarkesës dhe të cilësisë të paraqitura nga vetë opgj, sipas përcaktimeve në nenit 29 të ligjit.nr.25/2019 dhe rregullores 27/2020 dalë në zbatim të tij. Gjithashtu, sipas informimit nga Komisioni, -dy prokurori nuk kanë kryer dhe dërguar vlerësim të rezultateve të punës dhe integritetit të opgj-ve; -në një prokurori për arsye objektive (mungesë të evidencave të punës së oficerëve të policisë gjyqësore për vitin 2021) nuk është mundësuar realizimi i vlerësimit; ndërsa -në një prokurori tjetër vlerësimet e opgj nuk janë bërë sipas metodologjisë të përcaktuar në rregulloren më sipër dhe komunikimi i drejtuesit me Komisionin nuk ka qenë brenda kuadrit normativ të vendosur nga Komisioni. Këto shqetësime janë evidentuar nga Komisioni, i cili përgjatë vitit 2022 ka mundësuar shqyrtimin dhe vlerësimin vetëm për 75 oficerë të policisë gjyqësore për vitin 2021, që përbëjnë 43 % të oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Kjo gjendje dhe problematikat e konstatuara nga ky Komision në procesin e vlerësimit të opgj ka diktuar nevojën për ndryshime të rregullores nr.27/2020, me synim qartësimin e akteve përkatëse ku duhet të mbështetet vlerësimi i opgj, rolin e drejtuesve të prokurorive në këtë proces dhe raportet e tyre më Komisionin.
4.4 Në këtë situatë në marrëdhënie me drejtuesit e prokurorive dhe në veprimtarinë administrative të tyre me ndikime në performancën e prokurorive që drejtojnë, vlerësojmë se, në këtë gjendje ka vijuar ndikimi i boshllëkut të evidentuar në kuadrin ligjor në fuqi, ku veçojmë drejtimet siç janë:
i) Rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes zyrave të prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese,
ii) Edhe në procesin e promovimit/caktimit, vlerësimit të veprimtarisë, pezullimit apo shkarkimit të drejuesve të prokurorisë kuadri ligjor nuk është i qartë dhe nuk parashikon vlerësimin e indikatorëve ligjorë matës të performancës së drejtuesve në veprimtarinë organizative dhe/ose administrative, dhe të marrëdhënieve të drejtuesit të prokurorisë me Prokurorin e Përgjithshëm në këtë fushë, elemente këto shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës dhe në ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
iii) Në kuadrin ligjor në fuqi, gjithashtu, evidentohet boshllëk ligjor në drejtim të vlerësimit të performancës së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe përgjegjësia e drejtuesve për vlerësimin e përformancës së prokurorisë që drejtojnë, e cila ndryshon nga vlerësimi individual i performancës së drejtuesve apo prokurorëve.
iv) Në këtë vështrim, vlerësimi i performancës së prokurorive kërkon një përfshirje më të madhe të Prokurorisë së Përgjithshme në procesin e llogaridhënies dhe evidentimit të përgjegjësive e masave vijuese, për sa kohë Prokurori i Përgjithshëm kujdeset për ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore të prokurorisë dhe është përgjegjës dhe për punën e prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm.
4.5 Nisur nga problematikat dhe gjendja e kuadrit ligjor në drejtimet e evidentuara vlerësojmë se ka nevojë për ndërhyrje të nevojshme nëpërmjet ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore që do të sigurojnë funksionimin e prokurorisë si një e tërë, që vepron shpejt në drejtim të përcaktimit të prioriteve, ndjekjes së tyre në mënyrë të bashkërenduar brenda saj dhe me insituticionet e tjera, përmes masave organizative, administrative apo mirëpërdorimit të burimeve njerëzore e financiare.
4.6 Në këtë vështrim dhe për këto arsye, siç mund të jeni në dijeni, aktualisht propozimi i Prokurorisë së Përgjithshme për ushtrimin e nismës nga Kuvendi i Shqipërisë për ndryshime e shtesa në paketën ligjore “Përmirësimi i funksionalitetit, efiçencës dhe efektivitetit në sitemin e prokurorisë” është dhe po shqyrtohet në komisionet përkatëse të Kuvendit, si rezultat i nevojës për të adresuar një sërë problematikash të evidentuara gjatë zbatimit në praktikë të këtij kuadri ligjor, dhe ka si qëllim vazhdimin e implementimit të reformës në prokurori, pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë penale, si dhe normalizimin e situatës së krijuar nga boshlleku ligjor, për të shmangur problematikat shqetësuese të evidentuara në përformancën e veprimtarisë organizative dhe administrative të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe për të rritur eficencën dhe përmirësuar performancën në veprimtarinë e tyre.
III. BASHKËPUNIMI DHE MBËSHTETJA
Për çdo strukturë të prokurorisë, bashkëpunimi ndërinstitucional, përfshirja në proceset konsultuese të akteve ligjore e nënligjore dhe mbështetja nga projektet e misionet ndërkombëtare, ka qenë një aspekt i rëndësishëm në zhvillimin e objektivave dhe prioriteteve institucionale dhe ndërinstitucionale të vendit.
Gjatë vitit 2022 Prokuroria e Përgjithshme ka kontribuar me dhënien e opinioneve për reformimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor të dërguar për dhënie mendimi nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Komisioni i Çështjeve Ligjeve dhe Komisioni i Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, etj. Gjithashtu, kemi qenë proaktivë në identifikimin e nevojave për ndryshim në kuadrin ligjor, duke kërkuar edhe ushtrimin e nismave ligjore në institucionet përgjegjëse, siç u trajtua edhe më sipër.
Nga ana tjetër, është bashkëpunuar përgjatë vitit 2022: me KLGJ për ngritjen e një sistemi të ri CAMS në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, si dhe Projektin EU4FOCAL (FIIAPP-Spanjoll) dhe Prezencen OSBE, në përgatitjen dhe përfitimin e dy manualeve dhe organizimin e trajnimeve në fusha përkatëse.
Përgjatë vitit 2022, në marrëdhënie me Këshillin e Lartë të Prokurorisë evidentohen përmirësime në aspektin formal të pa normuara në kuadrin ligjor, siç janë: ftesa në disa raste e përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë pjesë në mbledhjet e KLP me rend dite çështje të rëndësishme të vlerësuara prej tyre, ashtu dhe është kërkuar dhënie mendimi përfshirë dhe për mënyrën e zbatimit të hartës së re gjyqësore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, etj, aspekte të cilat vlerësojmë se duhen normuar me ndryshimet/shtesat përkatëse në paketën ligjore “Përmirësimi i funksionalitetit, efiçencës dhe efektivitetit në sitemin e prokurorisë” të iniciuar nga Prokuroria e Përgjithshme, për ushtrimin e nismës nga Kuvendi i Shqipërisë objekt shqyrtimi në komisionet përkatëse të tij.
1. Bashkëpunimi me SPAK
Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) përgjatë vitit 2022 ka vijuar me tregues në rritje në zbatim të ligjit dhe Aktit të Koordinimit Ndërinstitucional, (datë 15.12.2020), ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, si në kuadrin e bashkërendimit dhe unifikimin e disa veprimtarive administrative ndërinstitucionale, ashtu dhe procedurale ndërinstitucionale, duke respektuar veçoritë dhe kompetencat institucionale të parashikuara në ligj.
2. Bashkëpunimi me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë
Bashkëpunimi me ILD në procesin disiplinor dhe inspektimin e prokurorive është i një rëndësie të veçantë, për realizimin e funksioneve dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore, bazuar në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të efiçencës së sistemit të drejtësisë.
Në vitin 2022 ka ka vijuar bashkëpunimin me Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë në kuadrin dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit, “Për kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike dhe për shkelje individuale të magjistratëve/prokurorë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm” dhe është kërkuar hetimi disiplinor i 3 (tre) magjistratëve prej të cilëve 1 (një) prokuror dhe 2 (dy) gjyqtarë.
3. Bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese
Për rritjen e cilësisë dhe efiçencës në hetimin dhe ushtrimin e ndjekjes penale të suksesshme të kriminaliteteti, një vëmendje të veçantë i është kushtuar, si bashkëpunimit praktik vendor në punën e përditshme të drejtuesve, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, ashtu dhe vijimit të koordinimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel qendror me MB, MF (përfshi DPPSH, DPPPP, DPT, DPD e AAPSK) në fushën e pastrimit parave dhe me KLSH, ILDKPKI, ILD, etj, sipas fushave të veprimit të institucioneve përkatëse. Kemi vijuar mbikëqyrjen e masave konkrete për zbatimin e marrëveshjeve dy dhe shumë palëshe për rritjen e cilësisë së kallëzimeve penale dhe/ose referimeve në prokurori, nxitjen e hetimeve proaktive, përmirësimin e metodikave hetimore, vendosjen e kontakteve dhe zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve profesionale, masa që çmojmë se po japin rezultate në rritjen e efektivitetit në luftën e përbashkët ndaj kriminalitetit në fushat kundër kundër korrupsionit (nivele të ulta) e veprave penale të kryera në detyrë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale te shoqëruar me sekuestrime e konfiskime të produkteve kriminale.



















