Qeveria e shqetësuar për ndotjen akustike, Kumbaro vendos fasha orare për muzikën gjatë sezonit turistik
Qeveria ka miratuar amendimet për sa i përket vlerësimit të zhurmave në mjedis. Ministrja e Turizmit dhe e Kulturës, Mirela Kumbaro tha pas mbledhjes së qeverisë se do të ketë më shumëm kontrolle dhe ndarje detyrash mes institucioneve për shmangur ndotjen akustike në ambiente gjatë sezonit të verës.
Siç shtoi ministrja, fashat orare për aktivitetet muzikore gjatë sezonit të verës do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës. Ky ligj do të kalojë në Kuvend për miratim javët në vijim dhe më pas bashkitë do të përcaktojnë hartën e zhurmave.
“I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar prej vitesh duke bërë amendimin për ligjin për zhurmat dhe duke filluar nga ky sezon, me miratimin e ligjit në parlament, do të kemi një kontroll më të rreptë të ligjit.
Do të kemi fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara dhe sipas standarteve të OBSH për të kontrolluar ndotjen akustike dhe oraret por dhe një detyrë të re për bashkitë që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë për detyrë për të përcaktuar hartën e zhurmave për të përcaktuar qartë zonat e banuara që do të jenë të qeta, ku janë larg banesave apo hoteleve familjare ku zhvillohen aktivitete zbavitëse me muzikë në liri ashtu sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave midis policisë bashkiake që do të vazhdojë të kontrollojë dhe do të pajiset me mjete certifikuese të akredituara edhe për lloje të tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme dhe aktivitete të ndryshme në territoret e ndryshme të bashkive.
Pra, një ndarje më të qartë të kompetencave për t’i dhënë fund topit që hidhej sa te mjedisi, shëndetësia, policia dhe bashkia. Kontrolli do të bëhet me mjete të certifikuara. Fashat orare për sezonin e verës dhe aktivitetet muzikore të përditshme do të jenë 12 e drekës deri në 12 të natës dhe në përputhje në hartëzimin nga bashkia, policia do të marrë kompetencat për të kontrolluar aktivitetet ekonomike që nuk respektojnë këto norma.“, tha Kumbaro.