Raport i Këshillit të Europës: Paraburgimi në Shqipëri po keqpërdoret
Një raport teknik i përgatitur nga ekspertë të Këshillit të Europës ngre shqetësime mbi mënyrën se si përdoret masa e paraburgimit në Shqipëri, duke theksuar se ajo nuk po zbatohet gjithmonë si mjet i fundit, siç kërkojnë standardet europiane.
Në dokument theksohet qartë se “paraburgimi duhet të përdoret vetëm kur është rreptësisht i domosdoshëm dhe proporcional”, duke nënvizuar se privimi nga liria nuk mund të shërbejë si dënim i parakohshëm përpara vendimit përfundimtar të gjykatës.
“Paraburgimi duhet të përdoret vetëm kur është rreptësisht i domosdoshëm dhe si masë e fundit. Ai nuk duhet të përdoret për arsye ndëshkuese dhe nuk mund të shërbejë si paradhënie e dënimit. Çdo vendim për paraburgim duhet të mbështetet në një analizë konkrete dhe të individualizuar të rrezikut, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.”
Ekspertët konstatojnë se gjykatat shqiptare, në shumë raste, justifikojnë paraburgimin me arsye të përgjithshme dhe jo të individualizuara. Sipas raportit, arsyetimi i vendimeve nuk duhet të jetë i përgjithshëm apo abstrakt, por i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.
“Vendimet për paraburgim nuk duhet të mbështeten në arsyetime të përgjithshme ose abstrakte, siç janë referencat e paqarta për sigurinë publike apo seriozitetin e veprës penale. Autoritetet gjyqësore janë të detyruara të japin arsye relevante dhe të mjaftueshme, të lidhura drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes dhe me situatën individuale të personit të ndaluar.”
Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me kohëzgjatjen e paraburgimit. Raporti vëren se autoritetet duhet të tregojnë “kujdes të veçantë” në zhvillimin e procedurave, pasi zgjatja e hetimeve nuk mund të justifikojë automatikisht mbajtjen e një personi në paraburgim.
“Sa më e gjatë të jetë periudha e paraburgimit, aq më e fortë duhet të jetë arsyeja për vazhdimin e tij. Autoritetet duhet të demonstrojnë kujdes të veçantë në zhvillimin e procedurave dhe nuk mund të justifikojnë mbajtjen në paraburgim vetëm mbi bazën e zgjatjes së hetimeve. Çdo rishikim duhet të vlerësojë realisht nëse masa mbetet e nevojshme dhe proporcionale.”
Dokumenti thekson gjithashtu se gjykatat duhet të shqyrtojnë realisht masat alternative, duke sqaruar se paraburgimi nuk duhet të përdoret kur masat më pak kufizuese mund të adresojnë rreziqet procedurale.

