Protesta pranë Parlamentit/ Policia identifikon 32 personat: 2 të arrestuar, 30 procedohen në gjendje të lirë

Protesta pranë Parlamentit/ Policia identifikon 32 personat: 2 të

Policia ka identifikuar 32 shtetas të dyshuar për hedhjen e sendeve të forta dhe mjeteve piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më 23 korrik pranë Parlamentit.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë protestës në rrugën “George W. Bush”, disa pjesëmarrës kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar 32 persona që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Dy prej tyre janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 30 të tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Të arrestuarit janë shtetasit me inicialet O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe. Ata akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Ndërkohë, për 30 shtetasit e tjerë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia bën me dije se gjatë tubimit janë dëmtuar 6 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe kapsolla, të cilat u gjetën në një qese plastike që mbahej nga shtetasja e arrestuar A. I.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.

EMISIONET