Pranvera “shpëton” fëmijët/ Mjekja: Ka rënie të ndjeshme të numrit të të vegjëlve me viroza. Kujdes nga variçela!

Fillimi i pranverës ka shënuar përgjysmim të numrit të pacientëve të vegjël të prekur nga virozat.

Mjekja pediatre, Sonila Brati shprehet se mesatarisht një mjek në ditë kryen rreth 25 vizita.

“Një mjek kryen sot 25-30 vizita, ose gati gjysma e numrit sa kryente në periudhën e janarit. Pra ka një rënie”, tha ajo.

Vijojnë të mbeten prezente problemet me rrugët e frymëmarrjes të shoqëruara me temperaturë të lartë të zgjatur në kohë.

“Ne kemi fëmijë që vijnë me temperaturë të lartë, 39-40, të padominueshme dhe që zgjasin për shumë ditë. Ka shumë probleme në këtë periudhë, infeksionet e rrugës së sipërme respiratore, laringitet, bronshitet, dhe më pak pneumoni”, u shpreh mjekja.

Aktualisht po vihet re një kthim i varicelës, megjithëse me raste shumë më të pakta se një vit më parë.

“Ka një rikthim të lijës së verdhë, apo variçelës, e cila është evidentuar në periudhën e shtator-tetorit. Patëm një lloj ndërprerje, dhe tani kemi një rikthim në këtë periudhë”, u shpreh Mjekja Brati.

Këshilla kryesore është kujdesi në përdorimin e antibiotikëve.

“Prindërit duhet të kenë kujdes me dhënien e antibiotikëve, ushqyerjen, dhënien e frutave, me mbajtjen e kontaktit me mjekun pediatër, ardhjes tek, apo në rast të komplikimeve dhe vetëm në këto raste përdorimi i antibiotikëve është i nevojshëm”, tha mjekja pediatre, Sonila Brati.

Më të prekur nga virozat, por edhe variçela në këtë periudhë janë fëmijët që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet.

sonila brati pediatre fëmijët viroza variçela

EMISIONET