Burgoset vrasësi serial i grave në Tiranë, Dan Hutra para gjykatës: Nuk jam penduar, i pranoj akuzat!
Gjykata e Tiranës ka mbyllur në burg deri në fund të hetimeve Dan Hutrën, autorin e 3 vrasjeve dhe plagosjen e tre te tjerave me 1 mars të ketij viti. Në gjykatë ai ka mbajtur të njëjta qëndrime si në polici.Para togave të zeza nuk ka shprehur pendesë për krimin e ndërsa mesazhe kishte edhe për sistemin e drejtësisë.
I papenduar dhe me bluzën në të cilën kishte mbajtur veshur në momentin e ekzekutimit të tre grave Dan Hutra ka dalë para Gjykatës së Tiranës.
Me mesazhe të forta kundër sistemit të drejtësisë ai është shprehur se ka qenë i vetëdijshëm për krimet e kryera të mërkurën e 1 marsit.
Pas kafazit të xhamtë autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave qëndroi i qetë.
Gazetarët i pa direkt në sy por nuk dha asnjë përgjigje pse vrau.
Prokuroria kishte ngritur 5 akuza. ‘Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave’, ‘Vrasje me paramendim’, ‘Vrasje e mbetur ne tentative’ ‘Plagosje rëndë me dashje’, ‘Armëmbajtje pa leje’.
Me dyer të mbullura i pranoi të gjitha akuzat dhe përforcoi se i kishte bërë me vetëdije të plotë.
Përballë gjyqtares që e mbylli në burg pa afat kishte dhe një kërkesë, e cila kishte të bënte më sistemin e drejtësisë.
Dan Hutra: I kam bërë të gjitha me vetëdije të plotë. Kur më dënuan për dhunë në familje më dënuan pa asnjë provë, ndaj i bëra të gjitha. I pranoj të gjitha dhe nuk jam i penduar. Etleva Kurtin e vrava se i vëllai deshi të më helmojë në burg.
Nuk më intereson fare, e kam mbyllur dhe pesë burgime të përjetshme të më jepni. Kërkova ADN e fëmijës por s’pranuan dhe aty më lindi dyshimi, por nuk e kam rrahur bashkëjetuesen. I kërkoj sistemit të drejtësisë të mos dënojë njerëz të pafajshëm që mos përfundojnë në masakra të tilla.
Sipas dosjes hetimore, Hutra i kishte përgatitur planin e ekzekutimiet më herët.
Sapo ia ka dalë nga burg ka nisur me zbatimin e tij.
Fillimisht ka marrë një makinë me qira dhe është nisur në Kukës aty ku ka marrë armën e zjarrit.
Më pas ka shkaur në Astir ku ka plagosur 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi pasi sipas tij i kishte një borxh prej 80 mijë eurosh.
Pasi kreu plagosjen iu drejtua Kodër Kamzës ku u fut në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa.
Nga të shtënat mbetën të vrara motra dhe kunata e ish-partneres, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku. Vetë Elena Hysa mbeti e plagosur bashkë me nënën.
Më pas Hutra ka marrë rrugën për në zonën e Kamzës ku në rrugën "Besëlidhja" ka ekzekutuar edhe Etleva Kurtin në derë të banesës së saj si shkak i konflikteve më të vëllain e saj brenda burgut.
40-vjeçari kishte objektiv edhe një tjetër person në zonën e Sharrës por që fatmirësisht u prandalua nga policia, e cila e arrestoi atë pas më shumë se 5 orë kërkime.
Kronologjia e vrasjeve të Dan Hutrës më 2 mars, sipas Policisë së Shtetit:
Një plagosje me thikë
Më 2 mars 2023, në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën "Teodor Keko", në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën "Rustem Haklaj", në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Dy vrasje dhe dy plagosjet
Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Një vrasje e tretë
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.
Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz”, janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorive të tjera vendore, janë ngritur pika kontrolli dhe janë zhvilluar kontrolle të shumta të banesave dhe ambienteve të ndryshme ku mund të fshihej autori, pasi nga veprimet e para në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i tij.
Strukturat e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë kryer të gjitha veprimet e domosodoshme hetimore, si këqyrjen e vendngjarjeve, sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të plagosurve dhe të dëshimtarëve okularë, sekuestrimin e pamjeve filmike, si dhe janë duke aplikuar metoda speciale të hetimit.
Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të sekuestruara në të dy vendngjarjet dhe ka rezultuar se 12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarri.
Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.
Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe të pandërprerë të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov.
Policia e Shtetit falenderon qytetarët për informacionet e dhëna dhe po kështu falenderon mediat për raportimin korrekt të ngjarjes dhe të veprimeve të Policisë.