Pesë orë rrugë për në gjykatë, harta e re gjyqësore largon institucionet nga qytetarët
Harta e re gjyqësore krijon distanca të mëdha gjeografike mes qytetarëve dhe godinave të gjykatave duke vështirësuar marrjen e shërbimit dhe aksesin në drejtësi. Përveç shkrirjes së gjykatave të shkallës së parë që mbeten vetëm si sportele në 9 qytete, qytetarëve do tu duhet të udhëtojnë 5 orë për një seancë në gjykatën kombëtare të Apelit në Tiranë.
Harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë shkrin gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë në disa qytete, si Tropojë, Pukë, Mat, Lushnje, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.
Banorët e këtyre 9 rretheve do ti marrin shërbimet e gjykatave të shkallës së parë në rrethet më të afërta, Tropoja në Kukës, Lushnja në Fier, Puka në Shkodër, Pogradeci në Korçë, Kavaja e Kruja në Durrës, Mati në Dibër dhe Kurbini në Lezhë.
Me këtë parashikim, harta e re rrit distancën gjeografike mes qytetarëve dhe godinave të gjykatave të shkallës së parë.
Por pjesa më problematike është ajo e gjykatës kombëtare të Apelit, e cila vendoset në Tiranë dhe shqyrton çështje nga e gjithë Republika si pasojë e shkrirjes së gjykatave të shkallës së dytë nga shtatë qarqet ku kanë ekzistuar më parë.
Sipas vetë draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ, gjykata kombëtare e Apelit e juridiksionit të përgjithshëm përllogaritet të ketë një distancë maksimale prej 309.3 kilometër nga qytetarët që do marrin shërbim aty me një kohë udhëtimi prej plot 4 orë e 56 minuta, llogaritur me skajin maksimal gjeografik nga zona jugore e Shqipërisë.
Tjetër rast ekstrem është ai i gjykatës administrative të shkallës së parë në Shkodër, e cila aksesohet maksimalisht për 4 orë e 32 minuta nga qytetarët e Tropojës, me një distancë udhëtimi prej 279.3 kilometër.
Problematike është edhe aksesi në gjykatën administrative të shkallës së parë në Tiranë, ku sipas draftit, qytetarët që kërkojnë shërbim aty duhet të udhëtojnë plot 4 orë e 27 minuta me një distancë gjeografike prej 281.6 kilometrash.
Pavarësisht distancave tepër të largëta mes banorëve dhe gjykatave të reja në disa qarqe, kjo mbetet problematike për seancat gjyqësore, pasi Ministria e Drejtësisë ka parashikuar që gjykatat aktuale të shërbejnë si sportele aty ku janë për shërbimet, si dorëzim padie dhe veprime të tjera.