Përmbytjet/ Rama: Përballim i suksesshëm, mbështetje për banesat dhe dëmet në gjënë e gjallë

Në podcastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar si të suksesshme përballimin e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që goditën Shqipërinë ditët e fundit. Ai garantoi se të gjithë ata që janë prekur nga fatkeqësia do të marrin dëmshpërblimet përkatëse, duke siguruar se ekipet e verifikimit janë në terren dhe Ministria e Financave ka përgatitur tashmë një plan të detajuar për kompensimin e dëmeve.

“Ekipet tona të verifikimit janë në terren që nga dita e parë dhe Ministria e Financave ka përgatitur skenarët e dëmshpërblimeve. Presim rezultatet përfundimtare të verifikimeve për të kaluar në fazën e kompensimeve”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se situata e përmbytjeve ishte më e kontrolluar se në vitet e kaluara, duke e krahasuar me periudhën kur qeverisnin partitë e djathta. Sipas Kryeministrit, megjithëse përmbytjet mbuluan 13,160 hektarë tokë, kjo është një shifër më e ulët se ajo që mund të kishte ndodhur në vitet e kaluara, kur përmbytjet kishin përfshirë një sipërfaqe shumë më të madhe. Rama theksoi se kjo tregon për një Shqipëri tjetër, që po ecën përpara në menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Gjithashtu, Kryeministri Rama e lidh përmbytjen me krimin mjedisor, duke kritikuar hedhjen e mbetjeve në lumenj dhe brigje, që ndikon në rritjen e pasojave të përmbytjeve. Ai paralajmëroi masa të reja për luftën kundër ndotjes, përfshirë përpjekje më të mëdha për sensibilizimin e qytetarëve dhe, po ashtu, ndëshkime më të ashpra për ata që kontribuojnë në ndotjen e mjedisit.

“Do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim dhe ndëshkim”, tha Rama.

Në fund, Kryeministri i drejtoi një kritikë edhe opozitës, e cila, sipas tij, ka tendencën të fajësojë qeverinë për çdo situatë të vështirë. Ai u shpreh se përmbytjet janë një fenomen që prekin jo vetëm Shqipërinë, por edhe të gjithë rajonin, dhe nuk mund të mbahen përgjegjës për to vetëm autoritetet shtetërore.

Në këtë kontekst, Rama e përmbylli intervistën duke u angazhuar për një Shqipëri të qëndrueshme dhe të sigurt, ku masat për përballimin e fatkeqësive natyrore do të jenë gjithmonë më të plota dhe më efikase.

EMISIONET