DETAJE NGA KRIMI NË FIER/ Ish-dhëndri vr*t me a*më gjahu 58-vjeçarin, plagos nënën e ish-bashkëshortes dhe largohet (EMRAT)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar, i identifikuar si Refit Buzi, vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas u largua nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 06:00, shtetasi Refit Buzi 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën.
Gjatë ngjarjes mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, autori është larguar me automjet bashkë me ish-bashkëshorten e tij, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, ngritën pika kontrolli dhe nisën kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.


