Ora News mëson emrin e djalit që sulmoi Sali Berishën me grusht në fytyrë

Protesta e opozitës në bulevard u shoqërua me një incident të rëndë ku një 31-vjeçar goditi me grusht në fytyrë Sali Berishën. I riu me origjinë nga Tepelena rezulton me probleme psikologjike, ndërsa policia tha se ka precedent edhe për plagosje dhe çështje droge. Kreu i PD, kërkoi lirimin e Gert Shehut dhe akuzoi direkt Edi Ramën si autor të këtij akti. Sipas Berishës, incidenti ishte përpjekje e fundit e regjimit për të penguar protestën e opozitës.

Ora News mëson emrin e djalit që sulmoi Sali Berishën me grusht

Protesta e thirrur nga opozita më 6 dhjetor, njëherësh me samitin e BE me vendet e Ballkanit në Tiranë, e përballi Sali Berishën me një situatë që nuk e kishte provuar asnjëherë që pas hyrjes në politikë.

31-vjeçari, Gert Shehu, me origjinë nga Tepelena dhe banues në Tiranë, iu afrua liderit demokrat dhe arriti ta qëllojë me grusht në fytyrë.

Ngjarja ndodhi në Unazë rreth orës 12.25, në metrat e fundit të marshimit të turmës nga selia blu drejt bulevardit tek Ura e madhe e Lanës në krah të ish-hotel Dajtit.

Si pasojë e goditjes, Berisha humbi drejtimin por u mbajt në këmbë nga truprojat, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe mbështetës të tjerë.

Ora News mëson emrin e djalit që sulmoi Sali Berishën me grusht
Gert Shehu

Personi që realizoi sulmin ndaj kreut demokrat, u neutralizua nga bodigardët e Berishës ndërsa ndaj tij u derdhën një breshëri goditjesh, kryesisht në fytyrë derisa përfundoi i shtrirë përtokë.

I riu u tërhoq më pas drejt selisë së PD-së nga një prej rojave të Sali Berishës dhe disa persona të tjerë të cilët më pas ia dorëzuan policisë.

Me shenjë të dukshme në faqen e djathtë, Sali Berisha dha një mesazh të shkurtër në fillim të protestës, për ta marrë fjalën rreth 30 minuta më vonë.

"Asgjë në botë nuk na mposht ne popullin e opozitës, popullin e fitores. Poshtë Edi Rama! Poshtë kriminelët!

Në daljen e dytë para protestuesve, kreu i PD-së bëri thirrje që 31-vjeçari nga Tepelena të lirohet dhe akuzoi Edi Ramën se fshihet pas ngjarjes.

"Le ti themi policisë: Liroje fatkeqin! Ka vetëm një autor, ky është Edi Rama. Kaloi dhe në një akt me të cilin dëshmoi karakterin prej krimineli. Zgjodhën si në gjitha rastet një person që mund të kryejë çdo gjë dhe e bënë si masë të fundit pasi e panë se ju u vërshuat nga të katër anët e Tiranës dhe Shqipërisë."

Sali Berisha mësohet se nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore në ndonjë spital, ndërsa agresori i tij u dërgua në urgjencën e Traumës ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor për plagë kryesisht në zonën e fytyrës, ndërsa i është bërë edhe një skaner për dëmtime të mundshme në kokë.

Ora News mëson emrin e djalit që sulmoi Sali Berishën me grusht

Rreth orës 14:00 një dokument mjekësor i bërë publik, evidentoi faktin se 31-vjeçari vuante nga probleme psikologjike prej vitit 2018 dhe mjekohej për ankth, frikë të paarsyeshme prej gushtit të vitit 2022.

Epikriza është lëshuar nga një klinikë private në Tiranë. Në një deklaratë pas ngjarjes, policia tha se 31-vjeçari po procedohet për "Goditje për shkak të detyrës".

Nga verifikimet paraprake rezulton se ai ka precedentë të mëparshëm kriminalë, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET