“REVANSHI”/ Pjesë e grupit që tentoi vr*sjen e Arben Ndokës, GJKKO lë në "arrest shtëpie" vëllain e ish-deputetit të PS-së

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Xhelal Rrajan, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Vendimi është marrë më 4 shkurt 2026 nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca.
Kërkesa për ndryshimin e masës ishte paraqitur nga vetë Xhelal Rraja më 17 dhjetor 2025, ku kërkohej lehtësimi i masës së sigurisë dhe zëvendësimi i qëndrimit në burg me një masë më të butë.
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi ta pranojë kërkesën dhe të lehtësojë kushtet e qëndrimit të tij.
Sipas vendimit, Xhelal Rraja do të qëndrojë në banesën e tij dhe nuk lejohet të largohet nga aty. Ai nuk duhet të komunikojë me persona të tjerë, përveç familjarëve që jetojnë me të.
Zbatimi i kësaj mase do të kontrollohet nga policia e zonës ku ndodhet banesa e tij.
Xhelal Rraja ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit dhe Endrit Dokles që tentuan vrasjen Arben Ndokës.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohej në janar 2021, kur ai të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.
Ndoka do të vritej në kafen e ngushëllimit në shtëpinë e gjyqtarit. Por plani dështoi pasi Ndoka nuk shkoi. Plani sipas SPAK ishte thurur nga Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, ku ky i fundit jepte informacion për lëvizjet e Ndokës.


