Nis spastrimi i pastruesve/ Një tjetër sanitare në pranga, vodhi shuma parash në banesën ku punonte (EMRI)
Pastrueset në banesat private duket se po kthehen në shqetësim për policinë e shtetit.
Pas arrestimit të pastrueses së famshme Rozeta Dobi, vjedhja e së cilës shërbeu për prangosjen e punëdhënëses së saj, Alda Klosi, zyrtare e lartë në Këshillin e Ministrave, një tjetër ngjarje është regjistruar në lagjen rrugën “Vaso Pasha”.
Bëhet fjalë për shtetasen Elida Kodra, e cila dyshohet se ka vjedhur shuma parash në një banesë ku ajo ishte punësuar në mirëmbajtjen e saj.
Në cilësinë e provave materiale policia bën me dije se ka sekuestruar 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë.
Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj.
Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.