NGRITJA E GARDHIT NË ZVËRNEC/ Matlija: Heqja e licencës nuk mjafton, pyetja është pse u lejua

Avokati Dorian Matlija, i ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, komentoi ngjarjet e fundit të lidhura me përplasjet në zonën e projektit në Zvërnec, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet kanë trajtuar situatën dhe përgjegjësitë që lidhen me vendimmarrjen.

Sipas Matlijës, debati nuk duhet të fokusohet vetëm te masat e marra pas incidentit, por edhe te arsyet që çuan në krijimin e konfliktit.

"Reagimi që vjen pasi ka ndodhur ngjarja është një gjë. Pyetja është pse ndodhi kjo situatë. Publikut mund t’i thuhet se iu hoq licenca një kompanie, por problemi është më i thellë se kaq."-tha ai.

Gjatë diskutimit, Matlija kujtoi se zona u rrethua pas vendimeve të institucioneve përkatëse dhe se përplasjet nisën pasi banorë dhe aktivistë mjedisorë kundërshtuan gardhin e ngritur në terren.

Ai tha se në momentet e tensionit pati incidente edhe me forcat e rendit, duke e cilësuar shqetësues faktin që efektivë të Policisë së Shtetit u përfshinë në përplasje me punonjës të sigurisë private.

"Publiku pa një situatë ku policia u gjend në përplasje me forca të sigurisë private. Po aq e rëndësishme është të kuptohet nëse janë kryer hetimet e nevojshme dhe nëse janë verifikuar të gjitha përgjegjësitë që lidhen me ngjarjen."-u shpreh avokati.

Matlija vlerësoi se diskutimi duhet të shkojë përtej masave administrative të marra pas incidentit dhe të përqendrohet te vendimet që mundësuan ngritjen e gardhit dhe zhvillimet që pasuan më tej në zonë.

Sipas tij, sqarimi i plotë i rrethanave dhe transparenca institucionale mbeten elementë të domosdoshëm për të shmangur tensione të ngjashme në të ardhmen.

EMISIONET