Zelensky ngre alarmin/ Rusia po përgatitet për mijëra trupa të rinj nga Koreja e Veriut dhe mobilizim të ri

Zelensky ngre alarmin/ Rusia po përgatitet për mijëra trupa

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po përgatitet të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake me ndihmën e Koresë së Veriut dhe një valë të re mobilizimi.

Sipas Zelenskyt, Moska synon të marrë rreth 30 mijë trupa të tjerë nga Koreja e Veriut, ndërsa Pheniani po përgatitet të furnizojë Rusinë edhe me lëshues të rinj për raketa balistike.

“Rusia dëshiron të marrë 30,000 trupa të tjera nga Koreja e Veriut. Që nga qershori, në rajonin Voronezh kanë nisur përgatitjet për pritjen e tyre”, tha Zelensky.

Ai paralajmëroi se bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Phenianit përbën kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet aziatike që ndodhen brenda rrezes së raketave të Koresë së Veriut.

Kreu i shtetit ukrainas tha gjithashtu se inteligjenca e Kievit ka zbuluar përgatitje të Rusisë për zgjerimin e mobilizimit gjatë vjeshtës.

Sipas tij, gjatë më pak se shtatë muajve të këtij viti, rreth 221 mijë persona i janë bashkuar ushtrisë ruse, ndërsa humbjet ruse, sipas të dhënave ukrainase, kanë arritur në rreth 225 mijë ushtarë.

“Putini po hedh themelet për një zgjerim të mobilizimit. Ai po përgatitet të dërgojë më shumë rusë në luftë”, deklaroi Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për presion të mëtejshëm ndërkombëtar ndaj Moskës, duke thënë se prioriteti duhet të jetë arritja e paqes dhe jo përshkallëzimi i konfliktit.

 

 

EMISIONET