PROTESTA E "FLAMINGOVE"/ Muharremi: Kemi një nivel të lartë dezinformimi, e shohin si mundësi për të çuar agjendat para
Analisti Alfred Muharremi, i ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, komentoi zhvillimet e fundit që lidhen me protestat qytetare dhe ndikimin që, sipas tij, mund të kenë aktorë të ndryshëm politikë në këtë proces.
Gjatë debatit në studio, Muharremi bëri dallimin mes protestës si e drejtë demokratike dhe përpjekjeve për ta përdorur atë për qëllime të tjera politike.
"Nëse sot kemi një nivel shumë të lartë dezinformimi dhe grupe që kërkojnë të arrijnë objektivat e tyre përmes tensionit politik, atëherë duhet të jemi të kujdesshëm. Ka individë dhe aktorë që e shohin protestën si mundësi për të çuar përpara agjenda të tjera."-tha analisti.
Muharremi u ndal edhe te prania e disa figurave politike në tubime, duke argumentuar se një pjesë e tyre nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve.
Sipas tij, protesta fillimisht u fokusua te çështje konkrete, por me kalimin e kohës në disa raste është shoqëruar edhe me mesazhe të drejtpërdrejta politike.
"Nga një kauzë e lidhur me Zvërnecin, debati ka kaluar edhe te kërkesa politike, te thirrjet për dorëheqje apo anulim vendimesh. Kjo tregon se brenda protestës po ndërthuren kauza qytetare dhe qëndrime politike."-shtoi Muharremi.

