Ngjarja me punonjësin e policisë në Tiranë, AMP: Nuk ngre asnjë pretendim për shantazh gjatë ushtrimit të detyrës
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuar nga mediet dhe rrjetet sociale në lidhje me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tiranë, i cili u vetëhodh nga lartësia e një pallati dhe mbeti i plagosur.
APM njofton se strukturat e AMP-së Tiranë, pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
“Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës”, njofton AMP.
Sipas AMP “nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj”.
AMP thekson se veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.