Nga plakja e popullsisë dhe pasojat e Covid, në 2023-in sëmundshmëria kronike u rrit 5,9%

Nga plakja e popullsisë dhe pasojat e Covid, në 2023-in

Për 2023 rritja e sëmundshmërive kronike dhe e numrit të diagnozave për pacient ka shtuar shpenzimet për rimbursimin e barnave.

Për periudhën janar-gusht 2023 sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë rritja natyrale e sëmundshmërisë është 5,9 % krahasuar me 2022.

Ekspertë të shumtë të shëndetësisë kanë ngritur shqetësimin se rritja e sëmundjeve kronike në vend do të vijojë e ndikuar nga dy faktorë, pandemia e Covid-19 dhe nga mplakja e popullsisë. Numri i lindjeve në vend gjithashtu është me rënie të vazhdueshme. Në 2019 sipas të dhënave të INSTAT ishin 28,5 mijë lindje. Në vitin 2020 ishin 28 mijë lindje. Në 2021 numri i tyre arriti 27,2 mijë lindje dhe për 2022 kishte 24,6 mijë lindje (9,2% më pak se 2021).

Rritja natyrale e sëmundshmërive kronike sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë është ndikuar nga rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemës së mjekimit. Konkretisht rastet e reja për janar-gusht 2023 janë 74,331 raste me vlerë shpenzimesh 270,020,711 lek ose 3,3 %. Ndërsa raste me ndryshim terapie janë 46,800 raste me vlerë shpenzimesh 212,802,460 ose 2,3%.

Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8 mujorin 2022 ishte 1,83 diagnoza. Ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8 mujorin 2023 është 1,96 diagnoza. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6,9%.

Shtimi i numrit të sëmurëve kronike dhe i diagnozave ka rritur shpenzimet vjetore të rimbursimit të barnave.

Nenit 5 i Ligjit 84/2022 “Për buxhetin e Shtetit të vitit 2023”, i ndryshuar, përcaktonte se buxheti vjetor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është tavani prej 11,400 milionë lekë për rimbursimin e medikamenteve.

“Vlera e mësipërme rezulton e pamjaftueshme për përballimin e shpenzimeve vjetore të rimbursimit të barnave (në PBA 2023-2025 ishte parashikuar që vlera e rimbursimit të barnave të listës, bazuar në faktorët që ndikojnë në këtë produkt, të arrinte në 12 500 milionë lekë për vitin 2023).

Nga ecuria e deritanishme e shpenzimeve të rimbursimit të barnave, rezulton: Rimbursimi i pranuar i vitit 2022, është 11,496 milionë lekë, shifër kjo më e lartë nga tavani buxhetor i përcaktuar për vitin 2023; Rimbursimi i pranuar i barnave për 8 mujorin 2023 rezulton 8,150 milionë lekë, ose 71.5% e tavanit buxhetor të lejuar, ose 5.61 % më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, thuhet në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas kërkesës së saj për rritje të fondit me qëllim të likuidimit të detyrimeve për 2023, në buxhetin e shtetit të vitit të kaluar me aktin normativ të muajit dhjetor u miratua rritja e tavanit të fondit për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë lekë që ishte më parë./ MONITOR

EMISIONET