“JEMI KU THËRRET KIAMETI”/ Hoxha: S’kemi ekspertë për aksidentet! Paaftësia e tyre me konkluzione të gabuara, rrezik përsëritje të aksidenteve
Bilancet tragjike të aksidenteve rrugore në Shqipëri fshehin një realitet kompleks dhe shqetësues, ku faji shpesh shtrihet përtej shoferit, duke implikuar një zinxhir të tërë dështimesh sistemike.
Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i aksidenteve, Gezim Hoxha, foli për mungesën e kualifikimeve të ekspertëve që analizojnë aksidentet rrugore në vend, një proces që, sipas tij, është i mbushur me parregullsi dhe mund të çojë në dënimin e njerëzve të pafajshëm.
Në qendër të problemit qëndron mungesa e kualifikimit të duhur të shumë prej ekspertëve auto-teknikë. Eksperti denoncon se lista e ekspertëve të licensuar përmban individë me diploma në fusha si ndërtimi, makineritë apo logjistika, të cilët nuk kanë njohuritë e specializuara për të analizuar dinamikën e një aksidenti rrugor, në kundërshtim me atë që kërkon Kodi i Procedurës Penale për "njohuri të posaçme". Kjo situatë krijon hapësirë për analiza sipërfaqësore dhe konkluzione të gabuara.
Një tjetër pikë kritike është përdorimi i softuerëve të avancuar të simulimit, si PC-Crash apo Virtual Crash. Këto mjete teknologjike, të cilat mund të rindërtojnë një aksident me saktësi të lartë, kthehen në "fantashkencë" kur përdoren pa të dhënat e duhura. Eksperti shpjegon se për të arritur një konkluzion të saktë, në sistem duhet të futen dhjetëra variabla të verifikuara nga vendngjarja: gjendja dhe presioni i gomave, kushtet e rrugës, dëmtimet e sakta të mjetit, temperatura e ambientit, etj. Sipas tij, në shumë raste këto të dhëna nuk mblidhen fare ose thjesht trillohen, duke prodhuar ekspertiza të rreme që përshtaten me një narrativë të paracaktuar.
Kjo praktikë ka pasoja direkte në sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët, të mbingarkuar me dosje dhe pa ekspertizën teknike për të vlerësuar këto raporte, i marrin ato si të mirëqena. Kështu, një raport i manipuluar mund të ndryshojë tërësisht përcaktimin e fajësisë, duke dënuar një shofer që realisht mund të ketë qenë viktimë e një defekti teknik, si për shembull çarja e një tubi frenash, apo e mungesës së sinjalistikës rrugore.
Zgjidhja, sipas ekspertit, kërkon shtrëngimin e të gjitha hallkave të zinxhirit të përgjegjësisë. Përveç shoferit, duhet hetuar edhe servisi që ka kryer kontrollin teknik të mjetit, si dhe duhet garantuar që infrastruktura rrugore të jetë e pajisur me sinjalistikën e nevojshme.
Mbi të gjitha, kërkohet transparencë totale në procesin e ekspertimit. Çdo e dhënë e përdorur në simulime duhet të jetë mbledhur si provë materiale në prani të policisë gjyqësore dhe e dokumentuar në procesverbal.
Vetëm duke analizuar profesionalisht çdo element, nga gjendja e gomave te kualifikimi i ekspertit, mund të identifikohen shkaqet e vërteta të aksidenteve dhe të parandalohen tragjeditë e ardhshme në rrugët e vendit.
PJESË NGA INTERVISTA
Gëzim Hoxha: Me një fjalë, ka probleme rruga, ka probleme sinjalistika. Pra, ka një mori problemesh të tjera, por të gjitha këto duhet të analizohen me shumë profesionalizëm me qëllim që këto të parandalohen. Pra, nëse në një segment rrugor na ndodh disa ngjarje, atëherë duhet parë, a ka sinjalistikë rrugore këtu? Sepse jo të gjithë ne kalojmë në të njëjtën rrugë përditë. Ka rrugë që unë s'kam shkelur ndonjëherë, por detyrohem të shkoj. Po unë nuk e di që aty ka një kthesë. Ata vendasit për shembull e dinë dhe ata dalin nga kthesa. Unë nuk e di dhe përmbysem në kthesë. Pra, të gjitha këto dukuri negative duhet të analizohen. Ne nuk po i analizojmë. Madje shkon puna deri aty saqë oficerët e policisë gjyqësore, për t'i rënë shkurt problemit, caktojnë një ekspert, ku është një listë me nja 40-50 veta, nuk e di sa është ajo, prej të cilëve vetëm dy janë që kanë mbaruar degën transport, gjithë të tjerët kanë mbaruar makineri, konstruksione, logjistikë, ku e di unë çfarë degësh të tjera kanë mbaruar ata dhe thonë ne jemi ekspertë për aksidentet rrugore.
Por që të jesh ekspert për aksidentet rrugore, ka një kusht në Kodin e Procedurës Penale, i cili thotë: “Duhet të kesh njohuri të posaçme”. Por njohuritë e posaçme mësohen në shkollë, në degën përkatëse, thotë Kodi i Procedurës. Pra, cilën degë ke mbaruar? Jo, unë kam mbaruar për konstruksione, po gjyshi im ka pas bërë rroba të qerrës së kooperativës dhe unë për rrjedhojë unë me transportin.
Këto nuk mund të vazhdojnë më kështu, se këto janë qesharake, por këto mbulojnë jetë njerëzish.
Pra, mund të jetë një shkak krejt tjetër, sepse automobili kur ka kaluar në kontroll teknik, ka kaluar në kundërshtim me rregullat. Dhe ne duhet t'i frenojmë këto. Por ne duhet të dalim në konkluzion njëherë, se çfarë ka.
Ne nuk e dimë sepse përsëris prapë, ose bëjnë fantashkencë. Thotë, unë e bëj me një sistem kompjuterik, thotë, e gjej këtë, e gjej atë. Më përpara është ekspertizë auto-teknike. Do të thotë teknikë për automobila. Pra, një drejtues automobili duke qarkulluar, do shkelmojë gazin, nuk frenon, aksidenton një person apo dy persona, po nuk ka rëndësi.
Pra, kush e kontrolloi këtë automobil? Aty mund të jetë çarë tubi i frensibël, mund të jetë bllokuar grupi i timonit, mund të ketë nyje të agregateve të ndryshme. Po këta nuk dinë ta kontrollojnë. Për rrjedhojë nuk dalim dot në konkluzione.
Pra, duhet të dimë në çfarë servisi i është bërë shërbimi teknik këtij automobili? Në servisin X, të shkojmë tek servisi, ta vëmë njëherë para përgjegjësisë. Pra, duhen shtrënguar të gjitha hallkat e këtij zinxhiri. Nuk mjafton duke futur shoferin në burg, që ndoshta në disa raste nuk është i fajshëm fare, sepse tubi i frensibël u ça, rrjedh alkooli, është rast fatkeq.
Pra, ky nuk e di se ky ngel makinën lart. Ky nuk e sheh poshtë, nuk futet poshtë makinës për ta parë. Por servisi që ka kontrolluar, që ka çuar automobilin, i ka bërë shërbime teknike, duhet ta kontrollojë automobilin nga fillimi deri në fund.
E duhet t'i thotë, këtë tub duhet ta heqësh, këtë krahun këtu duhet ta heqësh, këtu duhet të vendosësh një gominë e të tjera e të tjera, pra probleme teknike. Po këto nuk i thotë njeri.
Dhe pastaj thuhet që unë e bëj me simulim, thotë, e gjej defektin me simulim. Po mirë mor mik, e gjen me simulim.
Po çfarë të dhënash fut ti te ky programi në simulim? Se ti i gënjen prokurorin dhe gjykatën. Ti thua, ja fus kot, shpejtësia është 84 km në orë.
Por një ndër kushtet që të përdorësh simulimin, sistemi PC-Crash ose Virtual Crash, është që duhet të kesh të dhëna që ta fusësh. Ajo është një makinë llogaritëse, por është elektronike.
Pra duhet të futësh të dhëna, sa është dëmtuar automobili, cila është gjendja teknike e gomës së automobilit, sa është presioni në goma, sa janë konsumuar gomat, sa është temperatura e ambientit, sa është temperatura. Pra ti këto të dhëna nuk i fut.
Po e thua ti. Po çfarë bën ti në këtë rast? Ti bën ekspertim të rremë. Dhe çfarë? Gjykata dhe prokuroria, gjykatësi dhe prokurori nuk kanë kohë të mjaftueshme për t'u marrë me të gjithë këto gjëra. Prandaj caktojnë ekspertë.
Dhe po ty të mungon transparenca. Dhe çfarë bën ti? Unë kam kërkuar në seancë gjyqësore, në dorë të gjyqtarit. Zotëria që ka bërë këtë simulimin, të na sjellë të gjithë të dhënat, ku i ka dhe ku i ka marrë. Sepse çdo e dhënë që futet në sistemin PC-Crash ose Virtual Crash, është një lloj prove dhe provat merren nga organi i akuzës. Pra, duhet, është domosdoshmëri që kur ky pretendon se ka marrë një provë, lulet e gomave, për presionin e gomave e të tjera e të tjera, pra duhet t'i marri në prezencë të oficerit të policisë gjyqësore.
Duhet të bëjë patjetër një procesverbal. Pra edhe që vajti te automobili, se automobili është sekuestruar, është me cilësinë e provës. Edhe që vajti atje, dhe që e pa, dhe që i mati këto. Të gjitha këto duhet të pasqyrohen. Nuk i pasqyron. Dhe bën një ekspertim të rremë dhe pastaj qytetari përfundon në burg, padrejtësisht. Pra, ndryshon fajësia.
Dhe këtu jemi në kushtet ku thërret kiameti. Pse? Sepse nuk del e vërteta. Qytetarët sot, nuk ka qytetarë të paditur, por jo të gjithë kanë kompetenca të merren me këtë punë. Pra qytetarët i kuptojnë gjërat, i dinë gjërat, lexojnë, kanë përvojë, kanë qenë jashtë shtetit, kanë parë, kanë dëgjuar. Pra, por kjo nuk mjafton. Pra, këta elementë të këtij, të kësaj kategorie që nxjerrin këto lloj të dhënash, i gënjejnë, shfrytëzojnë momentin sepse prokurorët dhe gjyqtarët janë të mbytur me dosje. Dhe nuk kanë kohë që të merren të studiojnë tashmë me hollësi të gjitha këto, se si funksionon një sistem apo një sistem tjetër.
Sepse ata nuk janë, nuk janë gjyqtarë dhe, ë, dhe prokurorë të aksidenteve rrugore. Ata kanë çështje nga më të ndryshmet. Njëri vjen thotë, më ka vjedhur kosheren e bletëve, ai duhet të fillojë çështjen penale për bletët, do një specialist tjetër.
Një tjetër thotë, më ra tavani, një tjetër... Pra, duke qenë se jemi në këto kushte, kërkohet patjetër një studim. Unë e kam ngritur disa herë këtë dhe kam thënë që duhet patjetër, sepse shpeshherë ne shqiptarët në tërësi shajmë prokurorin e veçanërisht gjyqtarin.
Dha vendim të padrejtë. Por çfarë ndodh? Gjyqtari apo prokurori, përpunon të dhënat dhe i merr e i çon në gjykatë për të marrë masën. Në bazë të të dhënave që sjellin poshtë, që sjell oficeri i policisë gjyqësore. Por kur oficeri i policisë gjyqësore cakton një ekspert se e ka nga fshati i tij dhe do t'i bëjë nder atij, për të marrë x lekë, dhe nuk e di fare se çfarë përfaqëson ky personi. Pra, që këtu tashmë fillon edhe hidhet në erë drejtësia. Dhe palosen letrat njëra pas tjetrës dhe gjyqtari në fund fare diskuton pas letrave që janë dhe thotë, po, eksperti ka thënë që është kështu, sepse ai nuk është në gjendje të verifikojë ekspertin. Po këtu mungon dhe transparenca.
Se kur i thua gjyqtarit, ore zotëria të na sjellë dokumentet, ku i ka marrë këto të dhëna? Kjo është thembra e Akilit. Pra, këto sisteme PC-Crash dhe Virtual Crash ekzistojnë. Në Amerikë kanë aparate që masin këndet e hyrjes dhe të daljes nga përplasja.
Zoti Hoxha, pse kaq pasoja të rënda në aksidente rrugore? Ka të bëjë ndoshta vjetërsia e makinës, shpejtësia, infrastruktura rrugore? Pra, duke marrë shkas edhe nga ai i mbrëmshmi.
Gëzim Hoxha: Duhet parë rast pas rasti. Nuk ka raste fikse për këto. Ka makina të vjetra që palosen dysh dhe të gjithë ata që ndodhen në automobil, të gjithë humbasin jetën. Ka raste nga këndi i goditjes, e godet dhe për rrjedhojë rrokulliset makina, bie poshtë, humb në errë. Me një fjalë, ka shumë elementë kjo. Ka probleme sepse nuk ka sinjalistikë dhe këta nuk e dinë se ku po shkojnë, pra çfarë i pret përpara, një kthesë apo një...
Nuk e njohin rrugën pra, po.
Gëzim Hoxha: Këta nuk e njohin, por dhe nuk ka sinjalistikë, se sinjalistika këtë presupozon, që të të sinjalizojë se çfarë ka, çfarë do të dalë ty përpara. Pra, që ti të marrësh masat parandaluese. Një drejtues automobili që është i vëmendshëm dhe shikon sinjalistikën rrugore kur ajo është e rregullt, nuk përfshihet në aksident. Por kur nuk ka sinjalistikë, ai siç është duke ecur shpejt, hop, i bie një dishezë e menjëhershme. Ai nuk është në gjendje ta komandojë më automobilin dhe për rrjedhojë përfshihet në aksident.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:




