Kundër amnistisë fiskale, FMN: Nuk jeni gati! Qeveria e lë jashtë buxhetit

FMN është kundër miratimit të amnistisë fiskale. Sipas shefes së misonit të FMN në vendin tonë, Shqipëria nuk është gati për amnisti fiskale, pasi do të dëmtohet morali tatimor. Por Ibrahimaj dhe Balla theksojnë se amnistia fiskale do t’i shërbejë ekonomisë së vendit.

Nisma e qeverisë për amninstinë fiskale deri në 2 milionë euro është kundërshtuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por kritikat që vijnë nga aktorët ndërkombëtarë nuk pranohen nga qeveria, e cila e mbron me forcë edhe përmes deputetëve në Kuvend.

Këtë të hënë FMN tha se Shqipëria nuk është gati për amnistinë fiskale të iniciuar nga qeveria.

Shefja e misionit në Shqipëri, Yan Sun, deklaroi se FMN ka rekomanduar ndryshime në projektligjin e qeverisë për amnistinë fiskale, pasi sipas saj mund të sjellë dëmtimin për moralin tatimor.

Yan Sun: Projektligji mund të konsiderohet si një dëmtim për moralin tatimor. Mund të konsiderohet si një kartë për të dalë nga detyrimi i pagesës së të gjitha detyrimeve tatimore, për të ndihmuar apo favorizuar evazorët duke qenë se përfshin një falje të konsiderueshme të atyre të cilët përveç këtyre kanë dhe një heqje komplet të interesave dhe penaliteteve.

Por këto deklarata nuk u morën në konsideratë nga qeveria.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Ibrahimaj theksoi se po punohet për projektligjin e amnistisë fiskale dhe se ende nuk e ka një datë miratimi.

Gazetari: Amnistia fiskale do të miratohet nga qeveria dhe të kalojë në kuvend brenda këtij viti?

Delina Ibrahimaj: Amnistia fiskale është ligj i veçantë që nuk është miratuar në projektbuxhetin që sapo miratuam. Është ende në kosultim publik. Nuk kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji.

Po punojmë që paralelisht me projektligjin e amnistisë fiskale, të hartojmë edhe të gjitha aktet nënligjore që në një ligj final të kemi gati infrastrukturën për procedurat e kërkuara nga administrata shtetërore.

Me vendosmëri për miratimin e aministisë fiskale është shprehur dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Sipas tij, amnistia do t’i shërbejë ekonomisë së vendit.

Taulant Balla: Ajo që besoj se duhet të kuptojmë, është që ne na rezulton nga Këshillimi Kombëtar që më shumë se 2/3 e qytetarëve në Shqipëri e mbështesin një nismë të tillë, e cila synon kalimin e Shqipërisë në një hap tjetër drejt formalizimit.

Amnistia fiskale është një domosdoshmëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër të ndarjes nga tranzicioni, i cili ka qenë bashkëshoqëruar në kohë të caktuara me informalitet.

Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale, dhe çdo deputet e grup i caktuar politik duhet të kuptojë që është një gjë e mirë për ekonominë e vendit, për qytetarët e këtij vendi.

EMISIONET