Mbajti peng e dhunoi barbarisht partneren, gjykata lë në burg 31-vjeçarin, shokët e tij detyrim paraqitjeje
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg për 31-vjeçarin Gleard Gusholli, i cili akuzohet se mori peng dhe dhunoi barbarisht një 28-vjeçare, me të cilën ishte i lidhur.
Ndërkohë mësohet se pas kërkesës së prokurorisë, gjykata ka vendosur detyrim paraqitje për të tjerët.
"Këtë të Martë para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, dalin për t’u njohur me masat e sigurisë 5 të arrestuarit, për dhunimin e një 28-vjeçareje nga Gleard Gusholli dhe të afërmit e tij.
Për Gleard Gushollin që akuzohet si autor i dhunës dhe pengmarrjes Prokuroria e Tiranës do të kërkojë arrest me burg, ndërsa për Bledi Kateshin, Erlin Kateshin, Besmir Nucellarin dhe Arjan Shetan, që akuzohen për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit, do të kërkohet detyrim paraqitje.
Ndryshe nga sa e ka referuar Policia, Organi i akuzës, ka vendosur rikualifikimin e veprës penale, për plagosje, dhunë në familje nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit për vrasje si dhe heqje të paligjshme të lirisë.
E reja ka lënë përkohësisht të hënën ambientet e spitalit të Traumës ku është rikthyer sërish deri në fazën e rikuperimit të plotë, ku është aktualisht", raportoi gazetari Edison Vatnikaj.
E reja, e cila ka lindur në Gjermani ka rrëfyer për mediat gjithë historinë e njohjes me 31-vjeçarin.
“Gleardin e njoha në spital në Gjermani ku punoja si infermiere. Duke qenë se nuk dinte gjuhën më caktuan mua të kujdesesha për të. Kështu nisi njohja jonë. Më pas filluam bashkëjetesën në një banesë pranë banesës së prindërve të mi”.
28-vjeçarja la Gjermaninë dhe erdhi në Tiranë dhe u mbajt peng dhe u dhunua barbarisht prej tij.
Prindërit e saj kishin ikur në Gjermani prej 30 vitesh ku kanë ngritur jetën e tyre. Në Gjermani ka lindur dhe 28-vjeçarja e cila është shtetase gjermane. Ajo ka treguar për gazetaren Klodiana Lala se pas njohjes në spital, kishte nisur bashkëjetesën me Gleardin dhe ishin shpërngulur të një banesë pranë prindërve të saj të cilët i kishin ndihmuar. Por që në ditët e para kanë nisur skenat e dhunës.
“Ai u arrestua në Austri dhe pas burgut u kthye në Tiranë. Ne nisëm të komunikonim sërish dhe unë lashë gjithçka dhe erdha në Tiranë. Në momentin që erdhëm këtu u bë obsesiv dhe kontrollonte gjithçka timen. Vendosi të më mbante peng në banesë dhe më ka dhunuar në mënyrë barbare. Më ka goditur me këmbë të karriges, më ka kërcënuar me thikë, më ka shantazhuar se do bënte disa video që ai nën dhunë dhe presion kishte filmuar ndërsa isha në dush. Kam tentuar të hidhem dhe nga kati i pestë. Ai më tha që dua që të vuash, jo të vetëvritesh”, tha vajza.