Akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre/ AMP arreston dy punonjës policie të Komisariatit nr 3 në Tiranë

Akuzohen për  korrupsion dhe shpërdorim detyre/ AMP arreston dy

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, nën dyshimet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Në pranga kanë rënë Dejon Bejko, 25 vjeç, dhe Edison Kuka, 23 vjeç, të dy me gradën Inspektor dhe me detyrë trupë shërbimi në këtë komisariat.

Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, dy efektivët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim. Arrestimi i tyre u bë pas veprimeve hetimore të zhvilluara nga AMP.

AMP thekson se hetimet janë ende në vijim, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje. Në përfundim të hetimeve do të përcaktohet edhe roli i secilit prej të dyshuarve në ngjarje.

NJOFTIM PËR MEDIA:

"AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 3, Tiranë, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre

Drejtoria Rajonale Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë kompetente, ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

- D. B, 25 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;
- E. K, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.

Hetimi ka nisur menjëherë pas publikimit, më datë 16.07.2026, të pamjeve filmike në rrjetin social “Jeta është Qef”, të cilat u analizuan dhe u verifikuan në mënyrë të plotë nga strukturat hetimore të AMP-së. Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, në funksion të veprave penale të parashikuara nga nenet 244 dhe 301 të Kodit Penal.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe çdo forme tjetër paligjshmërie nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Falënderojmë qytetarët dhe median për kontributin e tyre në denoncimin e rasteve të shkeljes së ligjit".

EMISIONET