Metani: Sistemi i drejtësisë duhet të kalojë nga ndëshkimi te parandalimi dhe përmirësimi i cilësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani vlerësoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se sfidat aktuale kërkojnë jo vetëm evidentimin e përgjegjësive individuale, por edhe analizimin e problematikave sistemike.
Në takimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë me temë “Mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030: Arritjet dhe sfidat në vijim për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian”, Metani tha se reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të re, ku institucionet duhet të identifikojnë, analizojnë dhe adresojnë problematikat që ndikojnë në funksionimin e sistemit.
Sipas tij, nga raporti vjetor i monitorimit rezulton se gjatë vitit 2025 janë shënuar zhvillime të rëndësishme në pesë shtyllat e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, ndërsa janë rritur numri i ankesave të shqyrtuara, inspektimeve të kryera, tematikave të trajtuara dhe rekomandimeve të dhëna.
“Vit pas viti, ILD jo vetëm ka treguar rritje të qëndrueshme të performancës, por edhe cilësi përmes nxjerrjes së rekomandimeve dhe matjes së rezultatit të tyre, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së punës në gjykata dhe prokurori”, u shpreh ai.
Duke iu referuar përvojës mbi 6-vjeçare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Metani theksoi se sfidat kryesore të sistemit nuk lidhen vetëm me përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve, por edhe me problematikat strukturore, organizimin institucional, ngarkesën e sistemit dhe vakancat.
“Një sistem drejtësie nuk përmirësohet vetëm duke ndëshkuar. Ai konsolidohet atëherë kur ndërtohen instrumentet e nevojshëm për t’i parandaluar ato”, theksoi Metani.
Institucioni nënvizoi se qasja ndaj reformës duhet të kalojë nga evidentimi i përgjegjësive individuale drejt analizimit të fenomeneve dhe shkaqeve që sjellin problematikat, me synim rritjen e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e kulturës së integritetit.
Metani vlerësoi se një sistem drejtësie efikas dhe i qëndrueshëm kërkon bashkërendim institucional, transparencë dhe respektim të parimit të ndarjes së pushteteve.
“Asnjë institucion nuk mund t’i zgjidhë i vetëm problematikat sistemike të drejtësisë. Kompetencat ushtrohen në mënyrë individuale, por përgjegjësia për ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional, efektiv dhe që i përgjigjet pritshmërive të publikut është e të gjithëve ne”, u shpreh ai.
Në takim u vlerësua edhe roli i Mekanizmit të ri të Bashkëpunimit Ndërinstitucional për Zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030 dhe Barometrit të Drejtësisë, si instrumente që synojnë të forcojnë koordinimin dhe transparencën mes institucioneve.
Sipas Metanit, objektivi përfundimtar mbetet krijimi i një drejtësie më cilësore, më efikase, më të besueshme dhe më të shpejtë për qytetarët, në përputhje me standardet e procesit të integrimit evropian.


