Arkëtarja e Postës, jetë luksi. Bleu dyqan 45 mln lekë me paratë e vjedhura në postën e Bilishtit - Ja Dosja
Zyrat e Postës Shqiptare, janë kthyer në strofka vjedhjesh në Shqipëri, ku drejtorë, arkëtare dhe shpërndarëse pensionesh, janë hajdutët më të mëdhenj të shumave financiare.
Përpara këtyre zyrtarëve shtetërorë, asgjë nuk ishte Viktor Gushi, që konsiderohet si mjeshtri i grabitjeve të filialeve të Postës Shqiptare dhe Bankave në Tiranë.
Shuma të mëdha parash vidhen nga arkëtaret dhe drejtorët në Postën Shqiptare, duke mos ju shpërndarë në kohë pensionistëve.
Ku rasti i parë i zbuluar në fillim të vitit 2026 dhe bërë çështje penale në Bilisht dhe së fundi rasti tjetër në Durrës, tregojnë sistemin e kalbur të menaxhimit që ndodh në këto zyra, ku pensionistët tërheqin lekët e pensionit.
Gazetari Elton Qyno, ka zbuluar të plotë dosjes hetimore të prokurorisë së Korçës, e cila në muajin janar 2026 arrestoi dhe vuri në “Arrest shtëpie”, arkëtaren 27 vjeçare të postës së Bilishtit, Eda Çeliku, dhe përgjegjësen e postës në fshatin Vishocicë, 29-vjeçaren, Paola Shaholli.
Sipas dëshmisë së Paola Shahollit,e cila është vënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shkak të kujdestarisë së dy fëmijëve të mitur, lekët e filialit të postës në Bilisht i ka marrë së bashku me Eda Çelikun.
Madje sipas saj, Çeliku, kohët e fundit bënte jetë luksoze dhe kishte blerë dhe një dyqan 45 milion lekë të vjetra në Bilisht.
“...Eda Çelikun, unë nuk e njihja por kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira shoqërore, marrëdhënie e cila është prishur, pasi më ka thënë që “...prej teje unë do hyj në burg...” dhe më ka kërkuar që t’i jepja lekët që i kisha marrë borxh, konkretisht shumën prej 2 milion lekë të reja. Për këtë shumë parash dua të theksoj faktin se unë, për shkak se fitova besim dhe vendosëm marrëdhënie shoqërore, nuk i numëroja asnjëherë lekët që merrja në dorëzim në arkë, por vetëm firmosja mandatin...”-ka treguar Paola Shaholli.
Rasti, është zbuluar pas ankesave të mara nga disa pensionistë në fshatrat, Kuç dhe Poloskë. Më pas për këtë problematikë është vënë në dijeni dhe Drejtori i Postës së Korçës, Erjon Kurti, i cili pasi ka ngritur një grup auditimi, ka depozituar më pas një kallëzim penal në prokurorinë e Korçës, duke kërkuar hetime.
Sipas dosjes hetimore të dyja së bashku këto dy zyrtare të postës Bilisht, kanë vjedhur një shumë prej 220 milion lekë të vjetra.
Ndërkohë Paola Shaholli, e vënë në përgjegjësi penale për akuzën e “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, ka pranuar të ketë marrë para, që sipas saj këtë gjë e ka bërë për të kthyer borxhet financiare.
“...kam patur rast kur kam përvetësuar shuma parash nga pensionet apo ndihmat ekonomike që kam pasur për detyrë të shpërndaj. Dua të them se kjo gjë ka ndodhur dhe unë kam qenë e detyruar, pasi kam pasur këto shuma për t’i shlyer dhe emrat e personave të cilëve ua mbaja pensionin, unë ia kam mbajtur shënim të gjithë emrat dhe madje i kam deklaruar edhe te Dega Postare Bilisht. Qëllimi i gjithë kësaj nuk ka qenë përvetësimi, por thjesht shlyerja e borxhit që unë nuk mund ta kuptoja se prej nga më vinte...”-ka treguar Shaholli.
Shaholli, gjatë marrjes në pyetje në prokurorinë e Korçës, ka treguar se lekët e pensionistëve i tërhiqte nga arkëtarja e Postës së Bilishtit, shtetësja, Eda Çeliku. Por sipas Shahollit, Eda nuk ia jepte shumën e plotë dhe vetë Shaholli, nuk i ka numëruar sasinë e lekëve pasi kishte besim të plotë tek, Eda Çeliku.
Në dëshminë e saj, 27-vjeçaria Shaholli, ka treguar se:
“...për sa i përket gjithë kësaj ngjarjeje, dua të them se të gjitha dyshimet e mia janë se mua, Eda Çeliku, më jepte një shumë më të vogël parash se sa ajo që unë firmosja në mandate, në mirëbesim, duke shpërdoruar besimin tim që kisha tek ajo. Gjithashtu, dyshimet e mia janë që këto lekë i ka përvetësuar Eda Çeliku, pasi kjo bënte jetë luksoze kohët e fundit dhe madje ka blerë një dyqan në Bilisht, ngjitur me servisin e telefonave të bashkëshortit, dhe me sa di unë e ka blerë në muajin Tetor 2025 për një shumë prej 45 milion lekë të vjetra...”.
Më tej Paola Shaholli ka treguar në prokurorinë e Korçës se rreth fundit të dhjetorit 2025, Eda Çeliku,
“...më ka ardhur në shtëpi dhe më ka sjellë bllokun e mandat-pagesave, duke më thënë që të firmosja disa mandate, të cilat ishin bosh, pa shifër konkrete, pasi më tha që duheshin për të bërë rakordimet. Dhe unë përsëri në mirëbesim firmosa. Për këtë gjë nuk më ka pajisur as me kopje të mandatit dhe unë nuk kam dijeni se çfarë shume mund të ketë shkruar ajo më vonë. Dua të theksoj se unë jam viktimë e gjithë kësaj skeme dhe nuk kam përfituar asnjë para nga kjo gjë gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu dua të them se aktualisht jam nënë e dy fëmijëve të mitur, konkretisht një fëmijë 4 vjeç dhe një 1 vjeç e gjysmë...”.
Të dyja punonjëset e postës së Bilishtit, tashmë janë vënë në masën e “arrestit në shtëpi” për akuzën e “Vjedhjes duke Shpërdoruar detyrën”. Ndërkohë pritet që në ditët në vijim çështja kundër tyre të dërgohet në gjykatë për shqyrtim gjyqësor. /Nga Elton Qyno – Syri.net/


