Jaupaj: Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e kimikateve”, përafrim me legjislacionin europian

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e kimikateve”, duke e cilësuar atë një nismë me rëndësi të veçantë për përmirësimin e administrimit të kimikateve dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, Jaupaj theksoi se ndryshimet e propozuara nuk prekin standardet e sigurisë, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve apo mbrojtjen e mjedisit.

“Ky projektligj është teknik, por me rëndësi të veçantë sepse nuk ndryshon standardet tona të sigurisë, nuk e ul nivelin e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe nuk prek mbrojtjen e mjedisit. Përkundrazi ai e bën administrimin e kimikateve më efikas, më modern dhe më të përafruar me legjislacionin e BE-së”, tha Jaupaj.

Ministri u shpreh se nevoja për ndryshimet ligjore është evidentuar gjatë zbatimit të ligjit në vitet e fundit, si dhe gjatë procesit të negociatave për kapitullin 27, që lidhet me mjedisin.

“Procedurat për përditësimin e listave teknike janë të gjata. Ka mbivendosje kompetencash ndërmjet institucioneve, ndërkohë që legjislacioni europian ndryshon vazhdimisht dhe ne duhet të kemi mundësinë të përshtatemi me të në kohë”, tha Jaupaj.

Sipas tij, një element tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me tregun e Bashkimit Europian.

“Ministria e Ekonomisë ka vlerësuar se regjimi aktual i licencimit për kimikatet e rrezikshme përbën një barrierë administrative. Për këtë arsye projektligji propozon heqjen e kësaj licence. Hiqet në fakt një procedurë burokratike, por jo kontrolli i shtetit, inspektimet, mbikëqyrja vazhdojnë të mbeten të pandryshuara. Gjithashtu projektligji sjell tre ndryshime kryesore. Së pari, qartëson kompetencat institucionale. Së dyti krijon një mekanizëm më të shpejtë për përditësimin e listave të substancave me rrezikshmëri shumë të lartë duke ruajtur kontrollin institucional. Së treti, shfuqizon dispozitat që lidhen me regjimin e licencimit dhe harmonizon të gjithë ligjin me këtë ndryshim”, nënvizoi Jaupaj.

Më tej Jaupaj tha se “ky është në fakt një element shumë i rëndësishëm i kësaj nisme, e cila lidhet edhe me procesin e integrimit europian, pasi në kuadër të planit të veprimit për  përputhshmërinë me nenet 34 e 36 të traktatit për funksionimin e Bashkimit Europian, është vlerësuar se procedura aktuale e licencimit për prodhimin, vendosjen në treg, depozitimin dhe ruajtjen e kimikateve të rrezikshme përbën një barrierë tregtare, pra një masë me efekt të njëjtë me kufizimet sasiore të tregtisë, e cila nuk është në përputhje me parimet e tregut të brendshëm europian”.

Projektligji, shtoi Jaupaj, krijon procedura më efikase, një administratë më moderne, një ekonomi më konkurruese dhe një përafrim më të shpejtë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

“Ky projektligj nuk ka asnjë efekt financiar shtesë për buxhetin e shtetit, pasi siç thamë është një propozim teknik në kuadër të integrimit europian. Ky është një ndryshim që përmirëson administrimin publik, lehtëson barrën administrative për biznesin dhe forcon procesin e integrimit europian të Shqipërisë, i cili është duke ecur jashtëzakonisht shumë mirë ku vetëm dy ditë përpara mbyllëm edhe tre kapitujt e parë të negociatave. Kështu që dhe kapitujt e tjerë do vazhdojnë sipas planit që kemi me Komisionin Europian”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj ftoi deputetët ta mbështesin me votën e tyre këtë projektligj.

EMISIONET