"Ripërtëritje të PD-së me Flamur Nokën dhe Berishën, s'mund të ketë"/ Kikia: Nuk e lëshojnë karrigen

Analisti Mentor Kikia, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, analizoi zhvillimet e fundit politike dhe proceset e brendshme në partitë shqiptare, duke u ndalur te mungesa e rinovimit të lidershipit dhe mënyra se si organizohen zgjedhjet brenda forcave politike.

Sipas tij, ndryshimet në strukturat drejtuese nuk kanë vlerë reale nëse figura kryesore e partisë mbetet e pandryshuar.

Ai solli si shembull zhvillimet në Partinë Demokratike, duke argumentuar se ripërtëritja nuk mund të konsiderohet e plotë kur drejtuesit kryesorë vazhdojnë të mbeten të njëjtët.

"Mund të kesh një ekip shumë të mirë, problemi është ndonjëherë edhe trajneri. Përderisa drejtuesit nuk ndryshojnë, pjesa tjetër nuk është se bën ndonjë ndryshim të madh. Çdo parti politike ka nevojë të ripërtërijë së pari lidershipin dhe pastaj strukturat e tjera."-tha ai.

Kikia u ndal edhe te mënyra se si zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e partive, duke i cilësuar ato më shumë si një votë besimi ndaj liderit sesa si një garë të mirëfilltë mes alternativave.

Ai argumentoi se proceset zgjedhore duhet të jenë reale dhe të përfshijnë të gjitha nivelet drejtuese, në mënyrë që partitë të kenë mundësi të rinovohen.

"Nuk është strategji. Është thjesht sëmundje shqiptare ose ballkanike e lidershipit, i cili pasi ulet në karrige nuk shqitet prej saj. Në momentin që dikush merr pushtetin, mendon si të forcojë gardhet rreth vetes për ta çimentuar atë, sepse beson se pushteti është i përjetshëm."-shtoi Kikia.

Sipas analistit, mungesa e rotacionit në krye të partive politike pengon zhvillimin demokratik dhe krijon një kulturë ku pushteti shihet si pronë personale. Ai vlerësoi se ndryshimi i lidershipit mbetet kushti kryesor për një reformim të vërtetë politik dhe për rikthimin e konkurrencës brenda vetë partive.

 

EMISIONET