I pandehur për korrupsion në zgjedhje, Kristjan Shkreli dëshmon në gjyqin ndaj tij: Nuk kam premtuar asgjë për vota

I pandehur për korrupsion në zgjedhje, Kristjan Shkreli dëshmon

I pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, është pyetur sot si dëshmitar në procesin gjyqësor që zhvillohet ndaj tij. Para gjykatës, Shkreli mohoi akuzat, duke deklaruar se nuk ka premtuar apo ofruar përfitime në këmbim të votës.

Shkreli ka dëshmuar gjithashtu se komunikimet e përgjuara nga SPAK lidhen me zgjidhjen e problematikave të qytetarëve dhe organizimin e një takimi elektoral, e jo me ndikimin e zgjedhësve. Sipas tij, fshati Stajkë kishte problematika me energjinë elektrike prej vitit 2019 dhe ai bënte vazhdimisht telefonata për çështjet që ngrinin banorët.

Diskutime në sallë:

Kristian Shkreli: Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës, fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike, unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve, unë mund të jem edhe sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa, mesazhi që prokuroria thotë "jepi zjerm" është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune. Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek i PS dhe ai i PSD, ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat, banorët kishin 2 javë pa drita, një frazë që prokuroria thotë që i kam thënë banorëve "ia kam dhënë unë lekët", është që të bindja qytetarët që defekti i linjës do rregullohej, por unë s'i kam dhënë asnjë lek OSHEE. Agjentët e BKH erdhën tek banesa dhe lokali im, ishin më shumë forca policie, çunat e nderuar më kontrolluan, më morën telefonin që kisha në dorë, i pyeta çfarë ju duhet, më thanë më jep password-in e celularit, i thashë patjetër, ia hapa celularin, ia dhashë.

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi: I pandehur, janë disa biseda në celular që i ke thënë: “Të martën e ke të kryer, veç shife mos po na vonon veç për Tomën, zjarr, si me ken për mua jua di për nder." Për çfarë flitet në këtë përmbajtje të kësaj bisede? I ke thënë në celular: "Nuk e presim dot shtetin se shteti e ka në terezi", çka ke dashur të thuash? "Sot më prune preventivin", i ke thënë, çfarë pune i kreve?

Kristian Shkreli: E kam thënë si batutë t'i mbushja mendjen që këtë problem po e zgjidh unë, fjalën "zjarr" e kisha që tek mitingu i Tom Doshit të vini sa më shumë njerëz.

EMISIONET