"Numrat janë alarmantë"/ Gonxhja: Pasiguria në vend largoi turistët dhe ndryshoi planet e shqiptarëve
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i ftuar në studion e Ora News, foli për ecurinë e sezonit turistik dhe ndikimin që, sipas tij, ka pasur klima politike te rezervimet dhe fluksi i pushuesve gjatë muajit qershor.
Gonxhja u shpreh se një pjesë e turistëve, por edhe e qytetarëve shqiptarë, kanë ndryshuar planet e pushimeve për shkak të pasigurisë së krijuar, duke ndikuar drejtpërdrejt te rezervimet dhe te ritmi i sezonit.
"Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë rimenduar planet e tyre të pushimit në qershor. Jo vetëm destabilizimi ka ndikuar në numrin e hyrjeve, por ka ndikuar edhe te vetë industria e turizmit."-tha Gonxhja.
Ministri foli edhe për pasojat që kjo situatë ka sjellë në treg, duke shpjeguar se pasiguria ka krijuar luhatje në rezervime dhe çmime, ndërsa operatorët turistikë janë përballur me vështirësi në menaxhimin e sezonit.
"Ata që nuk erdhën në qershor janë ata që u shqetësuan nga situata dhe nga paqëndrueshmëria në Shqipëri. Nëse humbim përmes turizmit, humbim të gjithë."-shtoi ministri.
Sipas Gonxhjes, kushtet, infrastruktura dhe çmimet kanë mbetur të njëjta si në muajt e mëparshëm, ndërsa rënia e fluksit lidhet me klimën e pasigurisë.
Ai bëri thirrje që përplasjet politike të zhvillohen në rrugë institucionale, në mënyrë që të shmangen ndikimet te turizmi dhe ekonomia e vendit.


