Kishte siguruar kushtet për vr*sjen e dy personave, GJKKO dënon me burg Erio Zejnon

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Erio Zejno, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj, i njohur me pseudonimin “****”, dhe Ines Hajrulla i njohur me shkurtim emri “****”, ose me nofkën “****”; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal”; “Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 47, datë 04.06.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj, dhe Ines Hajrullën, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 7 (shtatë) vjet burgim. – – – Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi 1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 10 (dhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Erio Zejno me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim. – Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Erio Zejno, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
2. Në lidhje me provat materiale, gjykata është shprehur në vendimin e saj nr. 4 datë 10.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar. 3. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak në shumën 37,785 lekë (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim (nr.148/1 të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme), si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno. 4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

