Kush e donte vrasjen e Edmond Papës? Kërkime në Tiranë e Berat për ekzekutorin

Pas disa operacionesh kërkimi në disa ambjente, banesa dhe biznese, policia ende nuk ka rënë në gjurmë të Andrew Bode, autorit të dyshuar të vrasjes së Edmond Papës. Por pavarësisht se ai ndodhet në arrati prokuroria e Tiranës ka gati kërkësen për caktimin e masës, arrest në burg për 44 vjeçarin.

Ekzekutimi i biznesmenit Edmond Papa, më 16 dhjetor 2022 në Tiranë, ka tashmë të njohur qitësin që ishte Andrew (Ervin) Bode, dhe vëzhguesin që ishte Albano Velo, por ende nuk ka porositës.

Hetimet e agjensive ligjzbatuese mësohet se janë fokusuar pikërisht në këtë pike, për të zbardhur dhe dokumentuar të plotë, krimin që dyshohet se lidhet me prishje të pazareve të drogës.

Burime thonë se paralelisht, po punohet për të lokalizuar dhe vënë në pranga 44 vjeçarin të faktuar me prova filmike se ekzekutoi me 7 plumba biznesmenin, në një lokal në zonën e Selitës.

Andrew (Ervin) Bode, sipas të dhënave të sistemit TIMS rezulton se po fshihet në Shqipëri, pasi zyrtarisht nuk është regjistruar në asnjë pikë kufitare.

Pas banesës së tij në Tiranë, kontroll është kryer edhe në qytetin e Beratit ku nga verifikimi i kryer ka rezultuar se familja e Bodes ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por nuk përjashtohet mundësia, që 44 vjeçari ta ketë kaluar kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.

Ndërsa ai mbetet i lirë, Prokuroria e Tiranës do të kërkojë në Gjykatë masën e Sigurisë “arrest me burg” në mungesë dhe më pas automatikisht Andrew (Ervin) Bode, shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Përmes Interpolit, emri dhe foto e tij proceduralisht u dërgohet agjencive dhe partnerve të cilët do tu kërkohet arrestimi për akuzën e vrasjes.

Paralelisht me punën për arrestimin e ekzekutorit të Edmond Papës, mësohet se Prokuroria po tenton të bindë 30 vjeçarin Albano Velo, djali i një efektivi policie, që të bashkëpunojë me qëllimin, zbulimin e porositësit të vrasjes së biznesmenit nga Saranda, me të shkuar kriminale.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal

EMISIONET