Dhunimi i 22-vjeçares nga Kenia, pyeten 7 persona, ngjarja që ndodhi në mes të gushtit pa autor

Shtatë persona janë marrë në pyetje në lidhje me dhunimin e 22- vjeçares nga Kenia, e cila është gjetur pa ndjenja në gushtin e këtij viti dhe ndodhet ende në koma në Tiranë. E reja është gjetur e hedhur në një vend të izoluar, ndërsa natën e ngjarjes ka qenë vetëm pasi shoqja e saj ndodhej në punë në një kazino.

Vajza 22-vjeçare, Joy Ayoko, nga Kenia që ndodhet në gjendje kome në spitalin e Traumës në Tiranë, rezulton të jetë gjetur 24 orë nga mbrëmja kur ka ndodhur ngjarja.

Ayoko, sipas burimeve është konstatuar në pjesën e poshtme të një pallati, ku ajo banonte afër Ambasadës turke në Tiranë.

Sipas burimeve, në vendin ku është gjendur e reja keniane, nuk mund të hynte njeri, pasi është i mbyllur.

Edhe mjekët e ambulancës, kur kanë shkuar në vendgjarje në 13 gusht, e kanë nxjerë me barelë nga lart 22-vjeçaren, pasi terreni nuk e mundësonte hyrjen përmes rrugës.

Ora News mëson se Policia e Shtetit ka kryer veprime hetimore duke dërguar materialin në 15 gusht në prokurorinë e Tiranës.

Po për shkak të pushimeve të sezonit të verës, veprimet hetimore kanë filluar të kryehen në mesin e muajit shtator.

Vepra penale ku prokurori i Tiranës, Arben Agovi, është përqëndruar lidhet me “Plagosjen e rëndë me dashje”.

Kjo pasi 22-vjeçaria, Joy Ayoko, nga goditjet ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe ka thyerje të dy brinjëve.

Prokurorët e Tiranës, që po ndjekin hetimin e rastit, pritet që gjatë kësaj jave të shkojnë së bashku me policinë, për të parë nga afër vendin e ngjarjes.

Nga hetimet e deri tanishme, prokuroria thotë se gjatë natës Joy Ayoko, ka qenë e vetme në apartament, pasi shoqja e saj keniane, kishte turnin e tretë të punës pranë një kazinoje me vendodhje në “Arena Stadium”.

Jou Ayoko, gjatë mbrëmjes ka pasur një komunikim me nënën e saj në Kenia, duke i treguar se kishte përfunduar punën dhe ishte rikthyer në shtëpi, ku kishte gatuar pilaf.

Ky është komunikimi i fundit i saj me familjen dhe gjithçka mbetet mister se çfarë ka ndodhur.

Prokuroria është përqëndruar në tri pista hetimore, të cilat janë duke u verifikuar.

E dëmtuara, ka rënë në gjendje kome dhe nuk mund të flasë, për të treguar se çfarë ka ndodhur.

Për rastin janë marë në pyetje rreth 7 persona, mes të cilëve dhe shoqja keniane, e cila ka treguar dinamikën e veprimeve të saj atë mbrëmje dhe gjatë ditës.

Prokuroria, ka marrë pamjet filmike të Ambasadës turke në Tiranë, me shpresën e zbulimit të autorit të mundshëm që ka lëvizur gjatë orëve të natës, kur dhe besohet se ka ndodhur ngjarja.

EMISIONET