“Më ktheni telefonat!”/ Hetimet e SPAK për AKSH-in, GJKKO rrëzon kërkesën e Ervina Gjanës për kthimin e celularëve të sekuestruar
GJKKO rrëzoi kërkesën e drejtoreshës së Krimit Kibernetik, Ervina Gjana, për heqjen e sekuestros mbi pajisjet e saj elektronike, të sekuestruara në hetimin për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Ndërkohë, 7 persona janë në masë sigurie dhe dy të tjerë vijojnë në kërkim, teksa SPAK vijon hetimet me dyshimet për një grup të strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e drejtoreshës së Krimit Kibernetik nw policinw e Shtetit, Ervina Gjana, e cila kërkoi heqjen e sekuestros mbi 8 telefona dhe 2 laptopë të sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve pwr abuzimet e dyshuara me tenderat e AKSHI-t.
Sipas dosjes, pajisjet u morën nga hetuesit e BKH-së me vendim gjykate gjatë një kontrolli në banesë, pasi bashkëshorti i Gjanës rezulton person i afërt me Ergys Agasin, për të cilin prokurori Bledar Maksuti urdhëroi kontrollet dhe sekuestrimet.
Për këtë çështje, masa sigurie janë vendosur ndaj 7 personave, mes tyre ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa në kërkim vijojnë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët SPAK i konsideron përfituesit kryesorë të tenderëve të AKSHI-t.
Sipas hetimeve, Agasi dhe Beqiri, bashkë me persona të tjerë, ushtronin presion dhe shantazh ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga garat e tenderëve.
Hetimet zbuluan se miliona euro të përfituara nga dy kompani shpërndaheshin më pas me fatura fiktive drejt subjekteve të tjera, ndërsa tre administratorë janë aktualisht në masë sigurie.
Krahas hetimit penal, SPAK po kryen edhe verifikime pasurore, duke kërkuar të dhëna nga bankat dhe hipoteka për pasuritë e përfituara nga skema.

