GJURMOHEN “KULLAT E DR*GËS”/ SPAK heton Ilir Shtufin për pastrim parash me “Novën” në ndërtim
SPAK po heton ndërtimet e lidhura me Ilir Shtufin dhe kompaninë “Nova Construction”, me dyshimin se janë përdorur për pastrimin e parave të trafikut të drogës. Sipas hetimeve, Luçiano Koçeku dyshohet si financuesi real i disa projekteve në Tiranë dhe Himarë, përmes të cilave mund të jenë investuar para me origjinë kriminale.
Të gjitha ndërtimet e Ilir Shtufit me kompaninë “Nova Construction” do të kalojnë në filtrin e Prokurorisë së Posaçme, pasi biznesmeni dyshohet se ka pastruar para të trafikut të drogës përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, kryesisht në kryeqytet.
SPAK ka gjetur prova për një objekt me 13 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, i cili po ndërtohej nga “Nova Construction”, për të cilin ka dyshime të forta se investitori real ishte Luçiano Koçeku.
Prokuroria e Posaçme ka në dorë një komunikim në SKY ECC, ku Luçiano Koçeku, i shpallur në kërkim si drejtues i një grupi kriminal të trafikut të drogës, bisedon me një person ende të paidentifikuar, i cili i thotë se pallati ka nisur dhe se do të duhen dy vite për përfundimin e tij.
Më tej, sipas dosjes, Koçeku i thotë bashkëbiseduesit të zgjedhë vetë katin që dëshiron, në mënyrë që t’ia rezervojë menjëherë apartamentin.
Një tjetër objekt në lupën e SPAK është një godinë 4 dhe 7 kate në rrugën “Stavri Themeli”, po në kryeqytet, në pronësi të “Nova Construction”.
Referuar komunikimeve të zhvilluara në SKY ECC mes Luçiano Koçekut dhe një personi të paidentifikuar, është siguruar fotografia e një apartamenti me të dhënat: Apartamenti nr. 6/4, në objektin “Godinë banimi dhe shërbimi 4-7 kate me 1 kat parkimi nëntokë”, me subjekt ndërtues “Nova Construction 2012”, në rrugën “Stavri Themeli”, Tiranë.
Nga ky komunikim dhe nga biseda të tjera, SPAK dyshon se Luçiano Koçeku paraqitet si pronar de facto i apartamenteve në këtë objekt.
Një tjetër kompleks rezidencial që po ndërtohej në Tiranë nga “Nova Construction” dyshohet se është financuar me para të trafikut të drogës.
Bëhet fjalë për projektin “Colonnade” në rrugën “Dritan Hoxha”, ku sipas hetimeve, Luçiano Koçeku kishte interesa pasurore në apartamente, njësi shërbimi dhe poste parkimi.
SPAK ka zbuluar gjithashtu dy pasuri të tjera në zonën e Gjilekës, në Himarë, të regjistruara në emër të Ilir Shtufit dhe kompanisë së tij, por që sipas hetimeve pronari i vërtetë dyshohet të jetë Luçiano Koçeku.
Sipas SPAK, nga komunikimet e administruara rezulton se Ilir Shtufi pranon se financuesi real i “Nova Construction” ishte Luçiano Koçeku. Hetuesit dyshojnë se ky i fundit ka luajtur rol jo vetëm në financimin e projekteve, por edhe në sigurimin e lejeve të ndërtimit dhe në kontaktet me persona me ndikim në sektorin e ndërtimit.


