GJKKO i kthen dosjen SPAK-ut: Thellojini hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshit

Gjykata e Posaçme ktheu sërish për hetime të mëtejshme në SPAK, dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshit, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Gjyqtarja e posaçme, Rudina Palloj, pasi dëgjoi palët i kërkoi SPAK të saktësojë akuzën teksa më herët, gjykata i dha mundësinë prokurorit që të rregullonte mënyrën se si e kishte ndërtuar akuzën ndaj të pandehurit.
Avokati Andi Skënderi pretendoi se gjetjet e prokurorisë, koha e hetimit dhe finalizimi i akuzës nuk janë në përputhje me afatet procedurale.
Gjykata nuk i arsyetoi detyrat që i la SPAK-ut, po pritet që ato t’i komunikohen palëve me zbardhjen e vendimit.
Roshi akuzohet se ka abuzuar me detyrën lidhur me dy procedura tenderimi në vitin 2014, njëra prej të cilave për pastrimin e qytetit. Abuzimet u pretenduan nga një audit i kontrollit të lartë të shtetit me dëm ekonomik 33 mln lekë.

