"Omicron i ngjashëm me gripin", Rakacolli: Të vaksinuarit e kalojnë më kollaj, të pavaksinuarit në spitale

Vendi po përballet më një tjetër valë infektimesh, ndërsa përveç Covid-19 në qarkullim është edhe gripi sezonal i variantit A. Omicron po shkakton një numër tejet të lartë të prekurish.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se për ndryshimin e masave anticovid nuk merret vetëm një indikator parasysh.

Rakacolli: Indikatorët e tjerë të rëndësishëm përveç rasteve të reja që janë rritur ndjeshëm janë edhe numri i të shtruarve në spital. Pavarësisht se është rritur numri i  rasteve të reja, kjo nuk ka shkuar në përpjestim me numrin e të shtruarve në spital. Specialistët mendojnë që për momentin me këto numra që kemi sot, janë  këto masa që i përgjigjen. Kjo nuk  do të thotë që këto masa do të qëndrojnë të pandryshuara sepse masat ndryshojnë në varësi të indikatorëve.

Varianti Delta apo Omicron. Kush dominon ?

Rakacolli: Nuk e kemi të qartë plotësisht, por duke ditur që Omicron ka infektueshmëri më të lartë, shumë shpejt varianti dominant do jetë Omicron.

Zonja Rakacolli tha se nuk ka asnjë masë që ta pengojë totalisht virusin i cili shpërndahet nëpërmjet ajrit. Sipas saj, masat e marr thjesht e ngadalësojnë përhapjen e tij.

Rakacolli: Kufizohet infeksioni në radhë të parë me vaksinimin, i cili është shumë i rëndësishëm. Mbajtja e maskës është barriera që të bën mos e marrësh virusin aerogen (nga ajri), distanca, grumbullimet, etj janë të gjitha masa që e kufizojnë.

Situata në shkolla

Rakacolli: OBSH nuk e këshillon për momentin mbylljen e shkollave. Mësimi zhvillohet në kushte normale, sepse mësimi zhvillohet me maska. Vazhdojnë të bëhen inspektime ngado dhe kudo.

Zëvendësministrja shtoi se shenjat e Omicron janë të njëjta me gripin.  Por ajo tha se personat që kanë virusin Delta kanë komplikacione më të mëdha, ndërsa ata që infektohen me variantin Omicron e kalojnë më lehtë.

Rakacolli: Çfarëdo varianti që të kesh ata që janë të vaksinuar e kalojnë më lehtë. Edhe personat e shtruar në spitale, shumica janë të pavaksinuar.

Gazetarja Pelushaj e pyeti zonjën Rakacolli për shifrën e viktimave nga Covid. Vazhdon të ketë aludime dhe një mosbesim se shifrat e pulbikuara nuk janë ato reale. Vijojmë të mos raportojmë vdekjet në banesë për shkak të covid?

Rakacolli: E para nuk më pëlqen të themi vijojmë se kur themi vijojmë e pranon që e kemi bërë dhe po vijojmë. Ne gjithmonë i kemi raportuar shifrat e vdekjeve. Aludime vazhdon të ketë, por realiteti është gjithmonë i njëjtë, ne që në fillim kemi përcaktuar si shkak të vdekjes covid atë që mjeku e ka për detyrë ta përcaktojë. Çdo rast që mjeku e ka të shkruar që është shkak Covid padyshim që është raportuar.

A e kemi të ndarë shifrën sa viktima janë në banesa dhe sa në spitale?

Rakacolli: Po ne me siguri që duhet ta kemi, por nuk e kam tani. Kjo me siguri që ekziston sepse çdo person i  cili merr skedën e vdekjes e çon në strukturat  përkatëse dhe është Instituti i Statistikës ai që e bën. Raportohen, shkojnë në Institutin e Statistikave dhe aty bëhen përpunimet.

Rakacolli tha se ekspertët thonë që vaksinimi nuk e dëmton imunitetin dhe ata janë duke punuar me të treja dozat e vaksinimit.

Doza e tretë

Doza e tretë, tha Rakacolli është një lloj booster dhe patjetër që të mbron. Më tej ajo shtoi se vaksinimi te moshat e reja është rritur kohët e fundit.

A do ketë variante të tjera pas Omicron?

Rakacolli: Këtë pyetje nuk e di askush në botë. Por nëse varianti Omicron do të bëjë që duhe u përhapur kaq shpejt, së bashku me vaksinimin, mendohet që mund ta kapë nëj numër shumë i madh njerëzish të kalojë nga pandemi në endemi, siç është gripi. Por ekziston mundësia që vetë Omicron të pësojë një mutacion tjetër, mund të jetë një mutacion që mund të shkojë më për mbarë, por mund të jetë një mutacion që mund të shkojë më për keq.

Ditën e djeshme, 13 janar Shqipëria shënoi 1905 raste pozitive me Covid dhe 6 humbje jete.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku

EMISIONET